RTSH 24 Live

Aktualitet

Tragjedia e Gërdecit/ SPAK e dërgoi për gjykim, Mediu: Rihapja e çështjes, në kundërshtim me ligjin

08/02/2023

Tragjedia e Gërdecit/ SPAK e dërgoi për gjykim, Mediu: Rihapja e çështjes, në kundërshtim me ligjin

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka reaguar pasi SPAK çoi për gjykim në GJKKO dosjen në ngarkim të tij, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa në reagimin e tij ish-ministri e konsideron rihapjen e çështjes në kundërshtim me ligjin.

Sipas Mediut, ngjarja tragjike e Gërdecit nuk ka si shkak urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe, teksa shton se ato kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave.

Dërgimi për gjykim në GJKKO i çështjes penale në ngarkimin tim, është formalizimi i gjithë veprimeve në kundërshtim me ligjin të kryer nga SPAK në kuadër të hetimeve të rihapura në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit. Rihapja e kësaj çështjeje dhe mandej vazhdimi i të ashtuquajturave hetime të kryera nga ana e SPAK, janë akte tërësisht në kundërshtim me ligjin procedural penal si dhe me faktet e provat. Ngjarja tragjike e Gërdecit, ashtu sikurse edhe vetë organi i prokurorisë ka pranuar, nuk ka si shkak urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes. Këto urdhëra kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave”, shkruan Mediu.

Sipas ish-ministrit, demontimi i municioneve ka qenë një nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE dhe se çështjet për të cilat ai po ngarkohet me përgjegjësi penale, janë jashtë kompetencës dhe dijes si Ministër i Mbrojtjes. Mediu akuzon SPAK për hetime tendencioze, teksa thekson se nuk është provuar asnjë përfshirje e tij në një veprimtari korruptive në këtë proces.

Detyrimi për kryerjen e demontimit ka buruar nga këto akte dhe nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Demontimi i municioneve të tepërta ka qënë një proçes i cili ishte zhvilluar si përpara ngjarjes së Gërdecit, ashtu edhe më pas mbi të njëjtin kuadër ligjor dhe nënligjor. Ngarkimi me përgjegjësi penale i ministrit për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes së tij edhe si ministër, është në kundërshtim të plotë me ligjin. Prokuroria dje, por edhe SPAK sot, kanë zhvilluar hetime për mua dhe familjarët e mi, për të treguar/vërtetuar implikimin tim në interesa të paligjëshme në proçesin e demontimit të municioneve në Gërdec.  Edhe pse këto hetime kanë qënë tërësisht tendencioze dje edhe sot, ato kanë provuar katërcipërisht se nuk ka asnjë përfshirje timen në një veprimtari korruptive në këtë proces. Fakt i cili dhe vetëm ai, mundet të më ngarkonte me përgjegjësi penale mua si ministër”, shprehet Mediu.

Ai akuzon se kjo çështje është rihapur për arsye politike, me qëllim, sipas Mediut, propagandimin institucional të SPAK.

Kjo çështje e gjykuar dhe rigjykuar në të tre shkallët e gjyqësorit, ndërtohet mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK. Marrdhënia me median që në fillesë të rastit, përfaqësimi  i të ashtuquajturës akuzë nga tre prokurorët kryesorë të SPAK, si dhe shmangia e mosarsyetimi i problemeve ligjore të ngrituara në aktet tona të transmetuara në SPAK, përbëjnë provë që aksioni penal kundër meje nuk është një qëndrim i pavarur e profesional i një prokurori, por është pozicionim politik i një institucioni të tërë. Kam zgjedhur t’i shmangem debatit mediatik për këtë çështje, sepse kam menduar që gjyqet popullore apo demaskimet e “frontit” si armik i klasës i përkasin kohës së diktaturës dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtat themelore të shtetasit dhe me një gjyqësor demokratik. Në çdo rast mbetem i vetëdijshëm se vendi ku shqyrtohen dhe provohen akuzat nuk është parësisht media, por gjykata, me bindjen  e palëkundur se akuzat janë të paligjshme dhe do të rrezohen në një proces të drejtë, objektiv dhe të ndershëm”, përfundon reagimin e tij Mediu.

SPAK njoftoi sot se, në përfundim të hetimeve paraprake, ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Fatmir Mediu. Sipas dosjes hetimore, Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. 

Një muaj më parë, ish-ministri i Mbrojtjes u paraqit në SPAK ku mohoi akuzat për shpërdorim detyre, duke thënë se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë provë shtesë ndaj tij dhe se këto akuza janë të motivuara politikisht.

/rtsh.al/