RTSH 24 Live

Aktualitet

Gërdeci/ SPAK e akuzon për shpërdorim detyre, Mediu: Akuza të motivuara politikisht, s'ka prova të reja ndaj meje

10/01/2023

Gërdeci/ SPAK e akuzon për shpërdorim detyre, Mediu: Akuza të motivuara politikisht, s'ka prova të reja ndaj meje

Ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu nuk ka pranuar akuzat e SPAK për shpërdorim detyre, duke thënë se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë provë shtesë ndaj tij se akuzat e bëra në 2009. Për Mediun këto akuza janë të motivuara politikisht.

“Në diskutimin që pata me prokurorin e çështjes mu tha që nuk ka asnjë element shtesë përveç atyre që kanë qenë të zhvilluara në atë kohë që unë e thashë edhe një herë që për mua ka qenë e motivuar politikisht dhe asgjë më shumë. Ministria e Mbrojtjes në atë kohë është konsideruar si një strukturë e organizuar kriminale. Kujtoni pak se çfarë ka ndodhur në atë kohë. Ajo ministri ka qenë pjesë e asaj kohe të anëtarësimit në NATO. Dua t’ju bëj me dije që më është prezantuar i njëjti fashikull, e njëjta akuzë si në 2009, pa shtuar asnjë dokument dhe as provë shtesë, akuzë për shpërdorim detyre, kam kërkuar që të pyetem, nuk jam pyetur asnjëherë. Shpresoj që të merrem në pyetje. Motivi politik është në akuzë, nuk është urdhri i ministrit që ka provuar problemin, çdo letër që kam nxjerrë ka ardhur nga pjesa civile dhe ushtarake. Akuzën nuk e pranoj, jam i pafajshëm, demontimi është çështje sigurie kombëtare, kam si çdo qytetar, të pyetem për aktet e mia, nuk jam pyetur asnjëherë”, tha Mediu.

Mediu tha se nuk ka asnjë kontakt me firmën amerikane dhe se urdhri i ministrit për demontimin e armëve ishte për sigurinë kombëtare dhe tragjedinë nuk e shkaktoi urdhri i tij.

“Nuk ka qenë ministri prezent por autoritetet më të larta ushtarake. Kush mund ta certifikojë një proces ushtarak do u lutesha gjithsecilit që të lexojë edhe rregulloren. Është thjeshtë e qartë se nuk kam asnjëlloj dijenie as nuk e di se kush ka firmosur. Bumçi ka dhënë sqarimet e veta. Nuk kam diskutuar me asnjë. Nëse do të më gjenin një marrëdhënia timen me këtë çështje gjithë përgjegjësin e marr unë. Nuk kam pasur asnjëlloj kontakti me firmën amerikane që merrej me demontimin”, tha Mediu.

Ky reagim erdhi pasi ish ministri Mediu qëndori 60 minuta në zyrat e SPAK ku u pyet nga prokurorët e çështjes dhe u njoh zyrtarisht me akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë tragjedisë së Gërdecit.

SPAK ka përfunduar hetimet për tragjedinë e Gërdecit dhe ish ministrit Mediu rëndojnë dy akuza ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me kuadrin komandues ushtarak”.

Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona, pasi Gjykata e Lartë në dhjetor 2021 rrëzoi rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar dhe lejoi SPAK të niste punën.

Më 15 mars 2008 ndodhi një shpërthim I fuqishëm në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.

/rtsh.al/