RTSH 24 Live

Aktualitet

Tragjedia e Gërdecit/ SPAK dërgon në Gjykatën e Posaçme Fatmir Mediun, hapet procedim tjetër penal për shitjen e municioneve

08/02/2023

Tragjedia e Gërdecit/ SPAK dërgon në Gjykatën e Posaçme Fatmir Mediun, hapet procedim tjetër penal për shitjen e municioneve

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me tragjedinë e Gërdecit.

Në njoftimin për shtyp SPAK bën të ditur se në përfundim të hetimeve paraprake ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të pandehurin Fatmir Mediu.

Sipas dosjes hetimore, Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.  

Gjithashtu SPAK shpjegon se lidhur me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Një muaj më parë, ish-ministri i Mbrojtjes u paraqit në SPAK ku mohoi akuzat për shpërdorim detyre, duke thënë se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë provë shtesë ndaj tij dhe se këto akuza janë të motivuara politikisht.

Njoftim për shtyp i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, mbi bazën e vendimit nr.205, datë 24.09.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (që ka vendosur revokimin e vendimit nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu), ka rregjistruar proçedimin penal nr.279 viti 2021 dhe ka kryer hetimet paraprake lidhur me këtë proçedim penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe perdorimi, persa i perket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.

Gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë