Me ndezjen e flakës olimpike nisën zyrtarisht Lojrat Olimpike të Paris 2024.
Pishtari u përcoll dorë më dorë nga figura të njohura të sportit olimpik botëror.
Ndezja e flakës nga dy sportistë, një balonë e posaçme që do të rrijë në lartësinë afro 1000 metra, nën tingujt e një kënge të të famshmes Celine Dion ishte kurorëzimi i një ceremonie madhështore prej afro katër orësh.
Mbi 10 000 atletë të të gjitha ekipeve ishin zemra dhe shpirti i ceremonisë.
Për herë të parë ekipet pjesmarrëse nuk parakaluan në stadium po udhëtuan me anije mbi lumin Senë të Parisit.
Pjesmarrësit u përshëndetën nga presidenti francez Emanuel Makron që u uroi atyre sukses.
Në Shqipëri ceremonia u përcoll ekskluzivisht nga RTSH Sport dhe RTSH 24.
Anija me delegacionin shqiptar u shfaq rreth orës 19.38.
Ai përbëhet nga 8 sportistë. Katër janë kualifikuar në këtë turne.
Atletja Luiza Gega që do të garojë në 3000 m me pengesa, mundësit e stilit të lirë Zelimkhan Abakarov (pesha 57 kg), Islam Dudaev (pesha deri në 65 kg) dhe Chermen Valiev (pesha 74 kg), kanë pritshmëri.
Ndërsa 4 sportistë të tjerë e kanë siguruar pjesëmarrjen me ftesa. Ato janë Franko Burraj në atletikë 100 m, Manjola Konini në qitje, në disiplinat 25 m pistol dhe 10 m air pistol, si edhe notarët Kaltra Meça 200 m stil i lirë dhe Grisi Konxhaku 100 m stil i lirë.
RTSH do të jetë me ju çdo ditë me emisione të dedikuara për të sjell gjithçka nga Paris 2024.
/ rtsh.al /