Federata Shqiptare e Mundjes ka ankimuar në KAS ndeshjen mes mundësit shqiptar Chermen Valiev dhe mundësit nga Uzbekistani Razambek Salambekovitch Jamalov. Lajmi është bërë i ditur nga vetë presidenti i federatës, Sahit Prizreni, i cili tha se Valievit “iu mohua dhe rrëmbye mundësia për të kaluar në gjysmëfinale” në lojërat olimpike Paris 2024.
Në një intervistë për RTSH 24, Prizreni tha se pret që drejtësia të vihet në vend dhe nëse kjo ndodh atëherë Shqipëria do të kishte një medalje të artë. Sipas tij ka dhe precedentë të mëparshëm ku drejtësia ka vepruar edhe pas përfundimit të lojërave.
“Ishim përgatitur për një fitore dhe para se të niseshim e pata deklaruar se ajo që pash te djemtë dhe isha i bindur se do e merrnim një medalje dhe morëm dy. Ato janë medalje bronzi por kanë shijen e atyre të arit. Chermen Valiev i është mohuar ndeshja në gjysmëfinale, i është vjedhur dhe ne kemi bërë një ankimim në KAS. Unë pretendoj që drejtësia të vihet në vend. Ajo që ka ndodhur me Chermen Valiev dhe kundërshtarin nga Uzbekistani është një vjedhje e hapur pasi nuk ka rregullore që justifikon ato që bëri arbitri ku morën 10 sekondat e fundit duke i marrë pikë djalit tonë. Ndjemë që na është bërë padrejtësi por kur morëm dy medalje ndihem pak I lehtësuar dhe I lumtur që ne ja dolëm. Unë shpresoj që drejtësia do të vihet në vend dhe nëse kjo ndodh do të thotë që ne do kemi një medalje ari dhe një bronzi. Ka precedent të një rasti të një vajze në Indi, e cila mori medaljen e artë nga SHBA pasi drejtësia foli pas përfundimit të lojërave. Shqipëria e ka kryer misionin e saj”, tha Prizreni.
Prizreni i është përgjigjur edhe kritikave se fituesit e dy medaljeve të bronzta në lojërat olimpike, historike për Shqipërinë, nuk ishin shqiptar me origjinë. Ai tha se Islam Dudaev dhe Chermen Valiev ngritën lart dhe nderuan flamurin shqiptar dhe se për këtë meritojnë mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve.
“Unë kam vënë re që shqiptarët janë shumë të ndjeshëm kur bëhet fjalë për flamurin. Këta djem kanë bërë detyrën e vërtetë të një shqiptari duke e nderuar dhe ngritur lartë flamurin shqiptar, dhe ndoshta edhe më mirë se ç’ mund ta ngrinte një shqiptar i lindur dhe rritur në Shqipëri. Jam mirënjohës ndaj gjithë atyre që nderojnë flamurin shqiptar dhe kjo është detyra e çdo shqiptari si ato që janë në vendit tonë dhe si ata që e ndjenë veten pjesë të vendit tonë. Këta djem meritojnë një vlerësim nga ana e çdo shqiptari”, tha ai.
Në fund Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes bëri thirrje që duhen më shumë investime dhe politika për sportin.
“Këto medalje janë për mbarë sportin shqiptare dhe dua ta besoj që këto do të sjellin një histori tjetër sportit shqiptar. Ne kemi dëshmuar që mund të marrim medalje evropiane dhe botërore dhe duhet një bashkim forcash përmes politikave, pushtetit dhe njerëzve që e duan sportin”, u shpreh Prizreni.
Për herë të parë në histori Shqipëria artriti të merret në lojërat olimpike Paris 2024 dy medalje bronzi, konkretisht përmes Islam Dudaev dhe Chermen Valiev në kategorinë 65 dhe 74 kg në disiplinën e mundjes stil i lirë.
/rtsh.al/