Bashkia e Tiranës ka organizuar pasditen e së hënës një ceremoni falenderimi për ekipin e Sport Klub Tiranës që mori pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm të dy mundësit që fituan medalje të bronztë në Olimpiadë, Islam Dudaev dhe Chermen Valiev, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, trajneri i dy mundësave, Sahit Prizreni, si dhe mjaft sportistë dhe dashamirës të sportit.
Kryetari Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij vuri theksin se dy mundësat fitues në Olimpiadë dëshmuan jo vetëm për një skuadër e jashtëzakonshme, por ata janë edhe heronjtë tanë. Sipas tij, në këtë ditë të rinisë vjen mesazhi që mundi e djersa shpërblehen.
“‘‘Sot nuk mund të na vijë një mesazh më i mirë se sa mesazhi që djersa, talenti, puna, përpjekja, skuadra, shpërblehen. Gëzuar Ditën Nderkombëtare te Rinisë, sidomos të rinjve që aspirojnë që, si këta djem, t’i arrijnë gjërat me punë, me përpjekje, me dashuri, me pasion, si një mision i përbashkët, që është flamuri ynë kombëtar, skuadra jonë, Shqipëria. Gëzuar ditën e rinisë shumë djemve dhe vajzave që janë këtu sot edhe besojnë se vetëm me djersë, me punë dhe me talent ne mund të ecim përpara. Sot është edhe fiks data kur ne kemi çuar aplikimin për Tirana Kryeqyteti Europian i Sportit dhe mbaj mend se si kemi qenë me të njëjtin emocion. Një traditë që po e ndjek Vlora sot, edhe me shpresë, nesër Shkodra. Sporti mund të transformojë realitete ekonomike, realitete politike dhe realitete diplomatike. Sot flamuri i Shqipërisë, falë kësaj përpjekje, falë këtyre copave të këtij pazëlli të një fotografie të madhe të mbledhur ndër vite me përkushtim të jashtëzakonshëm nga Fidel Yllli dhe skuadra e jashtëzakonshme e KOKSHI-t, arriti të ngrejë flamurin tonë dy herë në Paris, me një sukses të paimagjinuar më përpara’’, nënvizoi Veliaj.”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku pati një përgjigje edhe për kritikët dhe skeptikët, kur tha se duhen lënë mënjëanë cic-politike dhe të mobilizohen të gjithë për të bërë Shqipërinë krenare kudo.
‘‘Kur përballemi me sfidat dhe cic-micet, kujtojmë se fuqia jonë qëndron në unitet dhe në përpjekjet tona të palodhura për të çuar përpara emrin dhe nderin e kombit tonë. Ju jeni dëshmia e gjallë se, me vendosmëri dhe besim në vlerat tona, çdo pengesë mund të kapërcehet dhe çdo ëndërr mund të bëhet realitet. Për këtë, ne nuk mund të jemi asgjë më pak se sa krenarë për ju’’, vijoi më tej Veliaj.
Ndërsa në fund ai tha se Shqipëria po tregon përditë e më shumë se është mikpritëse dhe hap dyert për këdo që është i talentuar dhe dëshiron të kontribuojë për këtë vend.
‘‘Medaljet, që sollën në Tiranë Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, janë një nderim për ne, njëherësh edhe një vulë tjetër mbi vulat në pasaportat e tyre kuqezi. Kjo nuk është një histori që ndodh për herë të parë, kjo është një histori që përsëritet dhe që e vulos përfundimisht faktin që Shqipëria është një shtëpi me SH të madhe, një shtëpi e dëshiruar, e ëndërruar dhe përmbushëse, një Shtëpi që të hap dyert dhe të mirëpret. Është shtëpia tipike, si një hapësirë private që mbushet përditë me shenja identifikuese simbolike dhe emocionale. Ia vlen ta mbushësh me shenja të rëndësishme. Chermen Valiev dhe Islam Dudaev sollën shenjat e radhës në shtëpi, dy medaljet olimpike, të cilat janë, sa fitore dhe emocion, po aq edhe simbol dhe identitet... “Gjëja më e bukur e një udhëtimi – kam lexuar diku – është kthimi në shtëpi”. E të kthehesh në shtëpi me zemrën plot dhe të pritesh me zemra plot është një kulminacion. Mirë se u kthyet në shtëpi, medalistët më të rinj shqiptarë!’’, përfundoi Veliaj.
Kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli tha se është hera e parë që në Shqipëri vjen, jo një, por dy medalje olimpike, duke futur Shqipërinë në listën e 206 komiteteve olimpike në botë.
‘‘Sot është një ditë historike për sportin shqiptar, sepse Komiteti Olimpik Shqiptar, ka hyrë në listën e 206 komiteteve olimpike në botë që kanë marrë medalje olimpike. Kjo falë punës së këtyre dy sportistëve dhe trajnerëve të tyre që arritën të ngrenë lart flamurin shqiptar në Paris. Këta janë sportistët tanë që na bëjnë krenarë dhe janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë, duke i dhënë imazh, Tiranës që la titullin si ‘‘Qyteti European i Sportit’’, tha Ylli.
Në fund, Presidenti i Federatës Shqipëre të Mundjes, Sahit Prizreni tha: ‘‘Jam i përulur dhe mirënjohës për gjithësecilin. Medalja është e flamurit kombëtar dhe jam krenar që pas shumë viteve si sportist nuk arrita ta marr, por sot si drejtues i Federatës ja dolëm. Ia doli Shqipëria. Meqë jemi te çatia e Bashkisë, përpos asaj që Shqipëria fitoi, Sahiti ka patur një disfatë me kryetarin, kështu që dua ta paralajmëroj, që i kërkoj revansh’’, e mbylli Prizreni me batutë.
/rtsh.al/