RTSH 24 Live

Aktualitet

Gonxhja: Shumë shpejt nis rehabilitimi i godinave të ish-burgut të Spaçit

16/04/2024

Gonxhja: Shumë shpejt nis rehabilitimi i godinave të ish-burgut të Spaçit

“E Kaluara e Tashme” do të jetë ekspozita e përhershme në ish-burgun e Spaçit. Në një postim në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja është shprehur se tashmë publiku e kushdo mund të shohë trupëzimin e 49 portreteve në një skulpturë të vetme, e cila kthehet në një monument të kujtesës kolektive, pikëtakim dhe pikënisje e procesit zhvillimor shoqëror.

“Përgëzojmë për këtë nismë dy djemtë e rinj e të talentuar, Kristian Zara (krijuesi i skulpturave dhe kurator) dhe kuratorin Arnen Sula, të cilët përmes artit risollën rrëfimet rrënqethëse të ish-të burgosurve të Spaçit”, është shprehur ministri Gonxhja.

Projekti u konceptua dhe realizua nga “Tek Bunkeri”, financuar nga Bashkimi Evropian pjesë e programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).

MEKI do të nisë shumë shpejt me rehabilitimin e ambienteve të godinave të ish-Burgut të Spaçit, duke mos lejuar degradimin e godinave, e duke e kthyer atë në një vend kujtese. Gjithashtu, është menduar dhe realizimi i një muzeu pranë godinave të ish-burgut, ku do të ekspozohen artefaktet e trashëguara për të përkujtuar, për të mos harruar.

/ rtsh.al /