RTSH 24 Live

Kosovë

SHBA kritikon Prishtinën për dinarin - Eskobar thotë se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner

24/02/2024

SHBA kritikon Prishtinën për dinarin - Eskobar thotë se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar  tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner lidhur me çështjen e dinarit serb. 

“Nuk dua të flas se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona publike kanë treguar qartë se ku po shkojnë raportet tona diplomatike dhe politike. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA është e përkushtuar plotësisht. Mendoj se ambasadori Hovenier e ka thënë më së miri, kjo ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën që të integrohet në komunitetin transatlantik”, - u shpreh Eskobar në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan, Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen e arritur në dialogun e Brukselit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Eskobar tha se një zgjidhje për çështjen e dinarit përmes Asociacionit, do të duhej të bëhej përmes një procesi transparent dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.

Kritikave amerikane për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovë kryeministri Albin Kurti u është përgjigjur se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-të. Ndërsa një dit më parë presidentja Vjosa Osmani tha se çështja e dinarit serbe duhej zgjidhur brenda vendit dhe nuk duhet të shkaktonte përplasje me vendet partnere.

/RTSH/