Policia e Kosovës ka reaguar pas rrëmbimit të tre policëve të saj në veri të vendit nga forcat serbe.
Në një deklaratë të jashtëzakonshme për mediat, drejtuesit e policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se i është bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të lirojë tre policët.
Sipas policisë së Kosovës, tre efektivët kanë qenë pjesë e policisë kufitare dhe janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
“Ne jemi të bindur se ata kanë qenë brenda territorit të Republikë së Kosovës. Kemi parë lëvizje të forcave serbe, helikopterë të Serbisë.
Të gjitha këto informacione janë shpërndarë me KFOR-in. KFORI është njoftuar dhe kemi njoftuar të gjithë institucionet ndërkombëtare në mënyrë që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të lirojë efektivët e policisë në mënyrë që ata të rikthehen në radhët e Policisë së Kosovës dhe tek fëmijët e tyre”, thanë në një deklaratë për mediat drejtuesit e policisë së Kosovës.
Gjithashtu, drejtuesit e policisë së Kosovës shpjeguan se Serbia përdor grupe kriminale për të destabilizuar vendin, ndërsa theksuan se forcat e policisë së Kosovës janë të përkushtuara për të ruajtur rendin në territorin e saj.
“Ne kemi bërë publike në vazhdimësi se grupe të dirigjuara nga Serbia janë futur në Kosovë dhe kanë qëllime për të detsabilizuar Kosovën. Jemi të përkushtuar që të mos lejojmë një gjë të tillë dhe jemi prezent kudo. Policia e Kosovës do të vazhdojë të ruajë rendin në territorin e Kosovës dhe do të realizojë çdo arrestim të personave që shkelin ligjin dhe janë në kërkim.
Fakti i rrëmbimit të tre policëve, tregon se Serbia është duke përdorur forma të ndryshme për të realizuar qëllimet e saj. Ajo është një rrugë ilegale të cilën Policia e Kosovës e kishte pikasur më parë dhe e kishte vendosur më parë nën kontroll duke e patrulluar atë pjesë, rrugë e cila është përdorur nga grupet kriminale”, thanë më tej drejtuesit e policisë së Kosovës në deklaratën urgjente për mediat.
/rtsh.al/