Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë këtë të hënë në vendosjen e gurthemelit të një nënstacioni policor në fshatin Izvor të Zveçanit, në veri të Kosovës. Projekti për këtë nënstacion kap vlerën e rreth 700.000 eurove.
“Në objektin e ri, që presim të ndërtohet shumë shpejt, do të shërbejë policia kufitare”, shkroi ai në Facebook.
Kurti tha se javën e kaluar ishte vendosur edhe një gurthemel për stacionin e policisë mbi urën e lumit Bistrica, e cila ndodhet në rrugën kryesore që çon në kalimin kufitar të Jarinjës. Por, ndërtimet e tyre janë kundërshtuar nga serbët pasi sipas tyre ata po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga Policia e Kosovës.
/RTSH/