Strukturat për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër mund të përshtaten për një tjetër kategori personash, jo më për emigrantët dhe azilkërkuesit, por për të burgosurit.
Mediat italiane shkruajnë se kryeministrja Giorgia Meloni dhe qeveria e saj janë duke analizuar përshtatjen e kampeve në qendra për të burgosurit shqiptarë në Itali të lidhur me aktivitetet mafioze, pasi burgjet italiane po mbajnë aktualisht 30 përqind persona më shumë sesa kanë kapacitetet.
Çështja e emigrantëve vijon të jetë në dyert e gjykatave në Itali dhe Evropë dhe kjo siç shkruajnë mediat mund ta detyrojë kryeministren italiane që të përshtasë strukturat e ngritura në “Gjadër dhe Shëngjin” në burgje për rreth 2800 shqiptarë të dënuar për aktivitete mafioze të cilët aktualisht po vuajnë dënim në Itali.
Por, krahas një dakordësie nga Shqipëria, vështirësia për këtë përshtatje do të ishte më e madhe pasi qendrat në Gjadër e Shëngjin janë projektuar dhe ndërtuar për pritje dhe procesimin e emigrantëve dhe nuk ka specifikat e një strukture për vuajtjen e dënimit.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/