Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, është paraqitur këtë të hënë (25 nëntor) në Prokurorinë e Posaçme. I ftuar në emisionin “Ekspres“, Këlliçi bëri të ditur se në SPAK është thirrur nga prokurori i çështjes “5D”, në cilësinë si kallëzues për këtë dosje.
“Jam thërritur nga prokurori i çështjes “5D”, në cilësinë si kallëzues për këtë dosje. Kam patur një seancë me pyetje dhe përgjigje me oficerin e policisë gjyqësore të përcaktuar nga prokurori i çështjes. Kam pasur mundësinë të njihem me zhvillimet e kësaj çështjeje. Jam vënë në dijeni se çështja është në hetim dhe do të vijojë të jetë, por janë disa teknika përsa i përket afatit të paraburgimit për disa prej të dyshuarve që duhen të zbatohen“, tha Drejtuesi politik i PD-sw për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi.
Po ashtu, Këlliçi ndau edhe kërkesat që i ka bërë SPAK, sikurse sekuestrimet e pasurive të jashtëligjshme t'i kthehen buxhetit të shtetit.
“Pikë së pari përcaktimi i dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, në rastin e “5D“. Sekuestrimin e aseteve dhe pasurive në mënyrë të paligjshme nga titullarët e bashkisë së Tiranës dhe kthimin e tyre në buxhetin e shtetit. Kam kërkuar zbatimin e të gjitha veprimeve hetimore që kam kohë që i kam kërkuar në fakt. Kam kërkuar të pyetet shtetësja Ajona Bejko. Kam kërkuar të bëhet publik kush është lali Eri dhe të sqarohet për qytetarë? Plus disa çështje të tjera nuk mund t’i bëj publike pasi janë sekret hetimor”, tha ai.
Ai përsëriti se "SPAK ka të gjithë të drejtë të sekuestrojë asete e pasuri, t‘i konfiskojë ato dhe t’i ktheje në buxhetin e shtetit. Ka mundësi t’i verifikojë dhe në rast që janë fituar në mënyrë të paligjshme, sekuestrohen dhe kalojnë në buxhetin e shteti“.
Lidhur me protestën që Partia Demokratike që do të mbajë nesër (26 nëntor), Këlliçi tha opozita është e vendosur deri në krijimin e një qeveri teknike.
“Qeveria teknike do të arrihet përmes të gjithave formave të mosbindjes civile si edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Nuk po kërkojmë pushtet në tavolinë, po kërkojmë rregulla të barabarta loje për të hyrë në zgjedhje dhe me një proces zgjedhor pa ndikim politik dhe të mos vidhen votat”.
Sa i përket dosjes “5 D”, Këlliçi ka deklaruar se 5 drejtorët e Bashkisë Tiranë, përmes kompanisë 5D Konstruksion, me në krye Mariglen Qato, kanë vjedhur në mënyrë flagrante miliona euro, përmes të paktën 45 tenderave të zhvilluar në bashki.
/rtsh.al/