“Shqipëria ka mbështetjen e plotë dhe të vendosur të Çekisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, kështu ka deklaruar Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Çeke, Markéta Pekarová Adamová, të hënën nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Republika Çeke është një mbështetëse e vazhdueshme dhe e sinqertë e integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Ne mbrojmë dhe avokatojmë për përparimin e shpejtë në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne kemi besim se aftësitë e kombit do të shfrytëzohen plotësisht për të arritur objektivin për anëtarësim deri në vitin 2030. Megjithatë kjo vendosmëri duhet të tregohet nga të gjitha segmentet në peizazhin politik shqiptar, veçanërisht nga pala qeverisëse dhe opozita parlamentare. Respekti për pavarësinë politike, prokurorinë dhe gjyqësorin dhe puna e tyre e paanshme janë gjithashtu pjesë e gatishmërisë“, deklaroi Adamova.
Adamova u ndal dhe në bashkëpunimin ekonomik dypalësh ku theksoi se edhe pse shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë në nivel të kënaqshëm ka hapësirë për më tepër bashkëpunim.
“Lajmi i mirë është se për sa i përket tregtisë, kemi shumë për të qenë krenarë. Tregtia jonë dypalëshe është e krahasueshme, por edhe e tejkalon atë të partnerëve europianë”, tha ajo ndërsa vlerësoi se "Shqipëria po zhvillohet vitet e fundit në aspektin turistik dhe se më shumë se 100 mijë qytetarë çekë vizitojnë në një vit Shqipërinë".
Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Çeke, Markéta Pekarová Adamová, po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
/rtsh.al/