RTSH 24 Live

Politikë

Spiropali dhe 20 homologe nënshkruan deklaratën e përbashkët “Kthejini Zërin Grave Afgane”

2 orë para

Spiropali dhe 20 homologe nënshkruan deklaratën e përbashkët “Kthejini Zërin Grave Afgane”

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, ka nënshkruar deklaratën e përbashkët “Kthejini Zërin Grave Afgane” së bashku me 20 gra Kryeparlamentare, mes tyre Presidentja e Parlamentit Europian, znj. Roberta Metsola, Kryeparlamentarja e Francës, znj. Yaël Braun-Pivet, Presidentja e Kongresit të Deputetëve të Spanjës, znj. Francina Armengol, etj.

Në deklaratë theksohet angazhimi i përbashkët për të mbrojtur të drejtat e grave kudo që janë të nëpërkëmbura dhe të shtypura, beteja për barazi, dinjitet dhe liri, si betejë e të gjitha grave për njerëzimin tonë të përbashkët.

Gjithashtu në deklaratë nënvizohet se: “Domosdoshmëri e të drejtave themelore dhe barazisë, të cilën Unioni Ndër-parlamentar, “Parlamenti i Parlamenteve” ka mbështetur vazhdimisht, është që kërkoi shfuqizimin e “ligjit për veset dhe virtytet” menjëherë sapo u miratua. Ne, nga ana jonë, i bëjme thirrje regjimit Taliban të shfuqizojë menjëherë këtë dekret dhe të gjitha ligjet e tjera diskriminuese.  

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave duam të ndërmarrim një angazhim të qartë: ne nuk do t’i braktisim kurrë gratë afgane. Do të vazhdojmë të jemi zëri i atyre që u mbyllet goja. Në të gjitha nivelet, situata e grave afgane do të jetë në agjendën e diskutimeve në parlamentet tona. Edhe Samiti i dytë i Grave Kryeparlamentare, në Quebec, do të na japë mundësinë për të forcuar më tej mobilizimin tonë të përbashkët.”-theksohet në deklaratën e përbashkët.

/rtsh.al/