Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka hequr dorë nga rasti penal kundër presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.
Ai u shpreh se politika e Departamentit të Drejtësisë e ndalon atë të vazhdojë çështjen pas inaugurimit të afërt të Trump.
Në një dosje gjyqësore prej gjashtë faqesh, Smith tha se u konsultua me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë nëse mund të vazhdojë një ndjekje penale në vazhdim kundër një personi të zgjedhur president.
Por ai theksoi se, zyrtarët arritën në përfundimin se një ndalim për ndjekjen penale të një presidenti në detyrë do të zbatohej për Trump.
“Ky ndalim është kategorik dhe nuk ndikon në peshën e krimeve të akuzuara, fuqinë e provave të qeverisë ose meritat e ndjekjes penale, pas së cilës qeveria qëndron plotësisht prapa”, vuri në dukje Smith.
Sakaq Trump ka deklaruar disa herë publikisht se planifikon të shkarkojë Smithin dhe t’i japë fund çështjeve federale kundër tij.
Gjykata e Lartë vendosi që Trump ishte imun ndaj ndjekjes penale për aktet zyrtare presidenciale, duke e detyruar Smith të ngrejë një aktakuzë të re.
Trump u deklarua i pafajshëm edhe për këto akuza të reja. Avokatët e Trump kanë kërkuar që të hiqen akuzat për ndërhyrje në zgjedhje në Uashington, DC, duke pretenduar se Smith është emëruar në mënyrë të paligjshme.
/rtsh.al/