Opozita protestoi për 3 orë në Tiranë, duke bllokuar disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, teksa në nisje pati edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Deputetët demokratë, Kreshnik Çolaku dhe Tritan Shehu akuzuan policinë për “provokim” të protestuesve dhe veprime të pajustifikueshme në drejtim të tyre.
“Provokimi deri në plagosjen e një protestuesi ishte e paarsyeshme dhe duket më shumë si strategji për të nxitur më shumë konflikt. Njerëzit qëndrojnë të vendosur, por shumë civile, nuk ka patur asnjë lloj incidenti. Provokimi i policisë mendoj se ka patur si qëllim degradimin e situatës. Të provokojë policia në mënyrë aq të dhunshme. Mosbindja civile është një nga rrugët, arma e fundit e një opozite në një situatë të tillë. Inkriminimi i shtetit i qeverisë këtu është i frikshëm, situatë e krahasueshme me vende me standarde demokratike të rrënuara. Është një anormalitet i thellë demokratik në vend dhe është e pamundur që opozita mos të reagojë dhe si armën e vetme që ka në dorë të ekspozojë këtë që po ndodh në vend”, tha Çollaku për RTSH-në.
Shehu akuzoi se policia veproi e “urdhëruar” nga qeveria.
“Sot është një protestë madhështore që tregon se qyteti i përket qytetarëve, jo grupeve kriminale. Tirana po shpreh vullnetin e saj për t’u përballur me këtë regjim. Ka një vendosmëri për të vazhduar deri në fund këtë protestë. Mesazhi ka tejkaluar dimensionet e Shqipërisë që tregon gjendjen e vështirë të vendit, por edhe vendosmërinë e qytetarëve për të rivendosur demokracinë. Pati një agresivitet nga segmente të policisë që sulmuan protestuesit me ujë, me solucione, duke i shtyrë. Kjo tregon se kjo polici kishte marrë urdhra në kundërshtim me ligjin. Veprim i pajustifikuar nga policia në fillim të protestës”, deklaroi ai.
/rtsh.al/