Për tre orë, opozita protestoi në Tiranë pasditen e kësaj të marte (26 nëntor), duke bllokuar qarkullimin në 5 kryqëzimet kryesore në kryeqytet: kryqëzimin pranë Bashkisë së Tiranës, rrethrrotullimin te "Zogu i Zi", Rrugën e Elbasanit, Sheshin Uillson dhe kryqëzimin te "Pallati me shigjeta".
Protesta nisi në orën 17:00 dhe u mbyll në orën 20:00, ndërsa u shoqërua me tensione dhe përplasje të protestuesve me policinë. Efektivët kërkuan zhbllokimin e akseve rrugore, kërkesë që u refuzua nga protestuesit dhe deputetët e PD-së që ishin të pranishëm në protestë.
I pranishëm në Rrugën e Elbasanit, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka debatoi me efektivët, teksa tha se Tirana “është në duart e qytetarëve”.
“Bëni kujdes, me banditë me uniformë nuk mund t’i trembin qytetarët. E gjithë Tirana është në duart e qytetarëve për t’i shkëputur pushtetin kusarëve. Në këtë vend nuk qeverisin përfaqësuesit e qytetarëve, por përfaqësuesit e krimit. Edi Rama e di shumë mirë, prandaj është larguar jashtë Shqipërisë. As shqiptarët nuk e mbështesin, nuk ka as socialist që mbështet Ramën dhe bandën e tij. Larg duart nga qytetarët. Qytetarët janë në mosbindje civile dhe do të vijojnë deri në fund”, tha Noka.
Në Sheshin Uillson, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, hodhi dyshime mbi efektivët e policisë pasi, sipas tij, ishin pa numër identifikimi.
“Punonjësit e policisë janë pa numër identifikimi. Mund të jenë anëtar të bandave të dërguar ose patronazhistë të që këta i kanë dhënë uniformën e policisë. Me ligj nuk lejohet një efektiv policie pa emër apo numër identifikimi. Janë pa numër identifikimi që do të thotë që janë ushtar të bandave që këta i kanë veshur me uniformë policie”, tha Bardhi.
Për të shpërndarë protestuesit, policia hodhi ujë në drejtim të tyre dhe gaz lotsjellës, veprime që u konsideruan nga opozita si veprime “të pajustifikueshme”.
Opozita ka zhvilluar disa protestash dhe kanë paralajmëruar për vijimin e asaj që e konsiderojnë si mosbindje civile, deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për krijimin e një qeverie teknike.
/rtsh.al/