Prokuroria e Posaçme (SPAK) goditi një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, që drejtohej nga Suel Çela, duke lëshuar të paktën 20 urdhër arresti, që përfshijnë edhe një ish-zyrtar të lartë policie dhe një ish-gjyqtare.
Por sipas pedagogut Zylyftar Bregu, ky presion i rritur i SPAK-ut ndaj bandave kriminale, do të sjellë më shumë sulme të tyre ndaj njëra-tjetrës, për larje hesapesh.
Deklaratën ai e bëri në studionin e emisionit “3D”, ku tha se edhe policia do të jetë para një sfide për të parandaluar ngjarje të tilla kriminale.
“Njoftimi për shtyp që ka bërë SPAK është jo shumë i detajuar, por SPAK ka një sfidë për t’i vërtetuar këto akuzat dhe sidomos për dy gazetarët. Mendoj që akte të tilla larje hesapesh do të shtohen për shkak të presionit që po bën SPAK ndaj goditjes së krimit të organizuar. Kjo e vë policinë para një sfide për parandalimin e këtyre akteve, pro organizatat kriminale të strukturuara do të vihen në një presion të tillë që do përpiqen të lajnë hesapet me njëra-tjetrën”, u shpreh Bregu.
/rtsh.al/