RTSH 24 Live

Botë

Izraeli dhe Libani pranojnë marrëveshjen e armëpushimit, Biden: Paqja është e mundur

3 orë para

Izraeli dhe Libani pranojnë marrëveshjen e armëpushimit, Biden: Paqja është e mundur

Presidenti amerikan, Joe Biden ka deklaruar se Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi për t'i dhënë fund luftimeve me Hezbollahun në Liban. Ai tha se marrëveshja do të hyjë në fuqi ditën e nesërme.

"Le të jemi të qartë, Izraeli nuk e nisi këtë luftë, as populli libanez nuk e kërkoi atë luftë, as Shtetet e Bashkuara". Që kur filloi lufta, më shumë se 70.000 izraelitë janë detyruar të jetojnë si refugjatë, ndërsa shohin komunitetet e tyre të shkatërruara. Mbi 300.000 libanezë janë detyruar gjithashtu të bëhen refugjatë. Ky ka qenë konflikti më vdekjeprurës midis Izraelit dhe Hezbollahut në dekada", tha Biden.

Ai shtoi se kjo marrëveshje është projektuar për të qenë një ndërprerje e përhershme e armiqësive. Biden bëri me dije se gjatë 60 ditëve të ardhshme, Izraeli do të tërheqë gradualisht forcat e mbetura.

Njerëzit si në Liban, ashtu edhe në Izrael së shpejti do të jenë në gjendje të kthehen shëndoshë e mirë në komunitetet e tyre dhe të fillojnë rindërtimin e jetës së tyre”, tha Biden.

Ai theksoi se megjithatë, nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen, Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Biden përfundoi deklaratën duke thënë se njoftimi i sotëm i armëpushimit është “një hap vendimtar drejt arritjes së paqes dhe prosperitetit në Lindjen e Mesme”.

Kabineti izraelit i sigurisë ka votuar në favor të një marrëveshjeje armëpushimi për t'i dhënë fund luftimeve me grupin militant Hezbollah në Liban. Propozimi synon të arrijë një ndërprerje 60-ditore të armiqësive me Hezbollahun që mund të formojë bazën e një armëpushimi të qëndrueshëm.

Izraeli nisi ofensivën e tij të madhe ushtarake në Liban në mes të shtatorit pas disa muajsh sulme ndërkufitare. Komandantët më të lartë të Hezbollahut, së bashku me më shumë se 3.000 njerëz, janë vrarë në Liban që atëherë, me një milion të tjerë që ikën nga shtëpitë e tyre.

Në Gaza, lufta Izrael-Hamas vazhdon, me numrin e të vdekurve që tejkalon 44.200, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë.

/rtsh.al/