RTSH 24 Live

Aktualitet

Nisja e kontingjentit EOD drejt Letonisë, Vengu: Jeni mburoja dhe forca e të gjithëve

3 orë para

Nisja e kontingjentit EOD drejt Letonisë, Vengu: Jeni mburoja dhe forca e të gjithëve

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka qenë i pranishëm në ceremoninë e nisjes së kontingjentit XVI EOD, me mision në Prezencën e Përparuar të Përforcuar të NATO-s në Letoni.

Në fjalën e tij Vengu u shpreh se, megjithëse mund të konsiderohet si një vendimmarrje e thjeshtë të dërgosh ushtarët që të na përfaqësojnë nëpër misione të tilla, por nuk është e tillë.

“Është një vendimmarrje që kërkon mirëkuptimin dhe sakrificën e familjarëve tuaj në radhë të parë”, iu drejtua Vengu ushtarakëve.

“Nuk është një vendimmarrje e thjeshtë, sepse nënkupton një dedikim dhe një vetëmohim nga ju vetë”, tha ia.

“Nuk është një vendimmarrje e thjeshtë, sepse edhe për të gjithë ekipin drejtues të Forcave të Armatosura dhe pa dyshim për Komandën Mbështetëse në veçanti kërkon një sipërmarrje domethënëse”, tha Vengu.

“Kohët që po jetojmë na kanë vënë në një kohë të vështirë, pavarësisht se Shqipëria në suazën e mbrojtjes kolektive nuk ka qenë kurrë më e mbrojtur sesa sot. Situata gjeopolitike në krahun lindor dhe posaçërisht në Ukrainë, na vë përpara detyrës dhe përgjegjësisë së solidaritetit me anëtarët e tjerë të Aleancës tonë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë sa herë përmendim sakrificën e forcave tona të armatosura kur vjen puna tek misionet e kësaj natyre”, tha Vengu.

Shqipëria, u shpreh Vengu, “është pa dyshim me fat që është pjesë e ombrellës së Aleancës më të madhe politike, ushtarake të kohërave moderne, por është gjithashtu me fat që sheh tek secili anëtar i FA-së vendosmërinë dhe angazhimin e plotë për të mos u sprapsur përballë sfidave që na kanosen”.

“Ju jeni pa dyshim mburoja dhe forca e të gjithë ne. Sakrifica juaj dhe ajo e familjeve tuaja, të cilat i përshëndes me shumë respekt dhe mirënjohje, sot merr vlerësimin më të lartë nga ne, nga bashkëkombësit tuaj dhe nga Atdheu. Ju uroj mision të mbarë dhe të suksesshëm!”

Vengu gjithashtu nënvizoi se, kapacitetet EOD janë të mirënjohura tashmë si kapacitet kombëtar.

 

 

/rtsh.al/