Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar në veri të Kosovës, ndërsa ka deklaruar se asnjë ushtar i Serbisë nuk ka kaluar vijën ndarëse të kufirit. Sipas Vuçiç, tre efektivët e Kosovës janë arrestuar 1.8 kilometra larg vijës administrative në rrugën Orahovë-Gnjilicë.
“Asnjë ushtar i Ushtrisë Serbe dhe asnjë polic nuk ka kaluar vijën administrative. Është shumë larg Tresava-Batnjik, ku ata kanë lënë veturën e tyre, ndërsa Kurti thotë se janë arrestuar 300 metra larg vijës, çfarë po bënin 300 metra larg vijës, pa e lajmëruar KFOR-in”, tha Vuçiç
Sipas Vuçiç, ata po verifikojnë situatën, ndërsa hedh dyshime se efektivët mund të kenë patur “plane më serioze”.
“Do të shohim se cilat kanë qenë qëllimet e vërteta të shqiptarëve të arrestuar, ka mundësi që ata kanë pasur plane më serioze, kanë pasur informacione të caktuara dhe kanë pritur që disa persona të arrestohen. Ne po mundohemi të de-përshkallëzojmë situatën në çdo mënyrë, flasim për këtë me Kfor-in, por nuk mundeni kur keni njerëz që duan të bëjnë incidente”, tha Vuçiç.
Pretendimet e Serbisë dhe Kosovës në lidhje me ngjarjen janë të ndryshme, ku Prishtina e konsideron rrëmbim, ndërsa Serbia arrestim. Në një deklaratë për mediat, Policia e Kosovës tha se efektivit ishin marrë brenda territorit të Kosovës, ndërsa Serbia reagoi duke thënë se ata nuk e kanë kaluar vijën e kufirit dhe se efektivët kanë qenë të armatosur “rëndë”.
/rtsh.al/