RTSH 24 Live

Sociale

80% e popullatës e prekur nga helikobakteri - Mjekët: Është i vështirë në trajtim

2 orë para

80% e popullatës e prekur nga helikobakteri - Mjekët: Është i vështirë në trajtim

Shqipëria ka një prevalencë të lartë të përhapjes së Helikobakter Pylorit , që zakonisht gjendet në stomak  që mund të shkaktojë një sërë çrregullimesh të traktit tretës, përfshirë ulcerën gastrike dhe në disa raste edhe kancerin e stomakut. Mjekët gastro-hepatologë thonë se hasin shumë vështirësi në trajtimin e këtij mjekimi pasi bakteri është rezistent dhe rishfaqet sërish.

Gastriti, ose inflamacioni i mukozës së stomakut, është sëmundja me përhapjen më të gjerë në popullatë. Sipas mjekëve gastro-hepatologë, shkaktari më I shpeshtë për  këtë vuajtje të stomakut është infektimi nga Helikobakter Pylori të cilin mendohet se e kanë në trup rreth 80% e popullatës por shumica nuk kanë dijeni pasi nuk kanë as shenja as probleme. Ky bakter është i aftë të shkaktojë një sërë problemesh të traktit tretës, përfshirë ulcerën deri edhe kancer në stomak.

Gastriti është një problem shumë i madh për popullatën që e ka këtë sëmundje pasi ne si mjek hasim vështirësi në trajtimin e tij, ndryshe nga ulcera e cila trajtohet për dy muaj për Helikobakter Pylorin. Përveç trajtimit duhet pasur kujdes nga vetë pacienti në lidhje me faktorët pasi ekziston mundësia e riinfektimit. Helicobakter Pylor ka një incidencë shumë të lartë infektimi. Gati 80% e popullatës është e prekur por nuk kanë informacion për këtë”, u shpreh Valdete Malaj, Gastro – Hepatologe.

Helikobakter Pylori transmetohet përmes rrugëve Fekale- orale dhe përmes kontaktit gojë me gojë por ajo që theksojnë më shumë mjekët është se trajtimi i tij është shpesh shumë i vështirë pasi duke qenë shumë rezistent ndaj mjekimit nuk largohet lehtë nga trupi.

 Mjekët apelojnë për teste të herëpashershme për këtë lloj bakteri të rrezikshëm përmes feçes, gjakut, ose përmes frymëmarrjes me ure, një inovacion dhe standard i artë drejt zbulimit më të saktë të infeksionit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/RTSH/