RTSH 24 Live

Sociale

Mbyllja e TikTok, Rama: Nuk zgjidh problemin, por ngushton hapësirën për dhunë e bullizëm

3 orë para

Mbyllja e TikTok, Rama: Nuk zgjidh problemin, por ngushton hapësirën për dhunë e bullizëm

Konsultimet publike për mbylljen apo jo të platformave sociale TikTok dhe Snapchat kanë nisur nga shkolla “Sami Frashëri” me një përfaqësi prindërish.

Kryeministri Rama tha se mbyllja e TikTok-ut nuk do e zgjidhte problemin, por do e ndihmonte ngushtimin e hapësirave që nxisin dhunën dhe bullizmin mes të miturve dhe të rinjve.

“Ideja për të ndaluar TikTok dhe Snapchat si dy platforma më problematike është një ide që e kemi diskutuar gjatë dhe sot e shtruam për një diskutim më të gjerë. Nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon dhe nxit dhunë dhe bullizmin”, tha Rama.

Rama ka theksuar se do të implementohet një sistem i ri për monitorimin e shkollave duke përdorur teknologjinë për të siguruar mbikëqyrjen në kohë reale të procesit mësimor dhe aktiviteteve të tjera brenda shkollës. Ky sistem do të mundësojë që prindërit të kenë akses të plotë për të ndjekur aktivitetet e fëmijëve të tyre, përmes kamerave dhe kërkesave për informacion pranë shkollës.

“Gjatë periudhës 2023-2024 jemi marrë shumë lidhur me rastet e dhunës dhe bullizmit në shkolla. Kemi praktikisht 2030 raste të raportuara të cilat janë cilësuar si raste problematike dhe nga këto në 78 % të rasteve është bërë njoftimi i prindërve drejtpërdrejtë, në 20 % të rasteve është bërë njoftimi i policisë dhe në 2 % të rasteve kanë qenë raste të lidhur me ambulancën dhe urgjencën. Është ngritur një sistem i posaçëm në sigurinë kibernetike për dhunën dhe bullizmin online, ku kemi raportime dhe aty. Ajo që do bëjmë ne më shumë për të krijuar një qetësi më të madhe në aspektin psikologjik për të gjithë familjen, është që deri në fund të dhjetorit të finalizojmë marrëveshjen për ngritjen e një sistemi të ri të monitorimit të shkollave me teknologji dhe për një financim të konsiderueshëm që do e marrim përmes një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara. Është një sistem i testuar më së mirë me rezultate të jashtëzakonshme që mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të të gjithë procesit mësimor, të gjithë jetës brenda mureve të oborrit të shkollës. Çdo prind, në çdo kohë, mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën dhe aktivitetin, mësuesin duke bërë një kërkesë pranë shkollës. Do të vendosim edhe një kontroll digjital të të gjitha hyrjeve dhe daljeve nga shkolla për çdo lloj mjeti metalik, telefon dhe çdo lloj tjetër që fëmijët mund të kenë nëpër çanta që të zbatojmë strikt rregullin e vendosur”, u shpreh ai.

/rtsh.al/