Nis me tensione mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës, e për këtë, shkak është bërë mungesa e kryetarit të Bashkisë Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg.
Mbështetës të Belerit kanë kërkuar të dalin jashtë punonjësit e Bashkisë Himarë dhe të qëndrojnë në sallë vetëm ata.
Ndërkohë të pranishëm janë i deleguari politik i Partisë Socialiste Blendi Klosi, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule dhe Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.
Sakaq, pak më parë Beleri, u ka drejtuar një letër anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Himarës, duke shprehur bindjen në lirimin e tij dhe fitoren e demokracisë.
Beleri në cilësinë e Kryebashkiakut teksa iu drejtohet këshilltarëve, deklaron se arrestimi i tij është i paligjshëm, teksa shton se 45 ditët e paraburgimit nuk ja ndryshojnë besimin te demokracia dhe te institucionet.
Beleri shpreh bindjen se do të fitojë betejën e tij dhe do të marrë detyrat që i kanë caktuar himariotët, duke thënë se do jetë ditë e guximshme, ndryshe nga e sotmja, që e cilëson si turpëruese e zhgënjyese për përgjegjësit.
Beleri prej 12 majit ndodhet në burg, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
Letra e plotë e Belerit:
Fjala përshëndetëse e Kryetarit te Bashkisë z. Dhionisios Alfred Beleri drejtuar anëtarëve të Këshillit të Bashkisë së Himarës
Himarë 27.06.2023. Të nderuar këshilltarë, të nderuar qytetarë të Bashkisë së Himarës, Sot, në ditën e marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë Himarë, megjithëse kërkova leje për të marrë pjesë dhe njëherësh përgjegjësinë që më ngarkuat me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit 2023, ma refuzuan.
Pas sulmit shpifës dhe vulgar ndaj meje nga Edi Rama në javën e fundit zgjedhore, arrestimit tim të paligjshëm dy ditë para garës zgjedhore, paraburgimit tim për 45 ditë, sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, unë ende besoj në fuqinë e së vërtetës. Unë ende besoj në fuqinë e së mirës dhe virtytit. Sulmi i paprecedentë dhe 45 ditët e paraburgimit tim të padrejtë nuk e ndryshojnë besimin tim të thellë te demokracia, te të drejtat, institucionet dhe pikë së pari te qytetarët.
Besoj dhe ju ftoj të besoni dhe ju se ky kalvar nuk do të ketë kryqëzim. Shpresoj që së shpejti të gjithë të mendojnë lirshëm dhe të veprojnë me virtyt. Prandaj ju kërkoj të tregoni durim, besim në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, në atë që mbrojtët me votën tuaj. Sepse më 14 maj fitoi Demokracia. Fitoi Himara. Dhe u jam mirënjohës atyre që treguan trimëri, por edhe mirëkuptoj ata që u nënshtruan presionit. Por ju premtoj se për mua nuk ka fitues dhe humbës.
Të gjithë qytetarët e Himarës dhe unë si kryebashkiak, i pari mes të barabartëve, do të marshojmë të bashkuar për t’u bërë edhe më të fortë, duke mbrojtur Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut. Personalisht marr forcë nga forca juaj dhe duroj, si një qytetar që ka mësuar të mbrojë idetë e tij për liri, demokraci dhe në praktikë të mbrojë dhe të kujdeset për çdo njeri që vuan apo kërcënohet. Jam i sigurt se së shpejti bashkësia ndërkombëtare do të mbrojë parimet dhe vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sepse mbi të gjitha sot një kryetar bashkie i zgjedhur në këtë pjesë të Evropës, një qytetar pjesëtar i minoritetit, u pengua të merrte detyrën. Sepse sot u konfirmua synimi i kundërshtarëve të popullit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Dhe nga ky cep i Evropës, i drejtohem lidershipit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe të gjitha Kombeve që i shërbejnë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U drejtohem të gjithë anëtarëve përkatës të të gjitha organizatave ndërkombëtare të cilët sipas kompetencës së tyre mbrojnë dhe ruajnë të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, duke u kërkuar të mbrojnë jo Fredi Belerin, as pjesëtarët e minoritetit etnik 2 grek në Bashkinë e Himarës, as shumicën e qytetarëve që më zgjodhën, jo demokracinë në Shqipëri apo rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, POR, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur atë që përfaqësojnë, për të mbrojtur historinë e tyre dhe pikësëpari të ardhmen e tyre. Sepse nëse të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës do të lihen në fatin e tyre në këtë cep, atëherë vetë demokracia do të mposhtet, atëherë ata do të jenë mposhtur dhe do të jetë mposhtur morali që janë betuar të mbrojnë.
Në fund të fundit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike është një ushtrim kolektiv dhe jo një përpjekje e njëanshme. Dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara edhe Presidenti i Evropës së Bashkuar edhe krerët e organizatave ndërkombëtare, edhe kryetari i bashkisë së Himarës, ose kryetari i çdo cepi të botës perëndimore mbrojnë të njëjtën demokraci, të njëjta të drejta të njeriut, të njëjtin shtet të së drejtës. Prandaj u kërkoj që ti kushtojnë vëmendje paraburgimit dhe aktakuzës ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës për të përmbushur misionin e tyre në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.
Nëse këtu, si dhe në çdo cep të planetit, humbet beteja, atëherë nesër mund të humbasë edhe lufta. Por beteja do të jepet dhe do të fitohet dhe dita kur unë do të lirohem dhe do të marr detyrat që më keni caktuar, do të jetë një ditë e guximshme në histori ndryshe nga e sotmja që është turpëruese për përgjegjësit dhe zhgënjyese për ne të tjerët.
/rtsh.al/