“Jo legjitime” e kanë konsideruar mbledhjen e kësaj të marte (20 qershor) të Këshillit Kombëtar të PD 17 deputetët demokratë që e bojkotuan atë.
Në një deklaratë për mediat, ata thanë se rezultati i kësaj mbledhje është antistatutor, teksa bëjnë thirrje të shmanget një tjetër ngërç në PD. Ata deklarojnë se do të kontaktojnë me anëtarët legjitim të Këshillit Kombëtar mbi situatën në parti dhe se do të vazhdojmë përpjekjet për forcimin e PD.
“Ne, deputetët, anëtarët e Kryesisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me shqetësim kemi ndjekur aktet e njëanshme të ndjekura nga një pjesë e Kryesisë së Partisë, të cilat kanë kulmuar sot me një falsitet antistatutor, duke konsideruar një takim pakuorum, si mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD.
Pasi kemi marrë kopje të anëtarësisë së Këshillit Kombëtar të PD të depozituar dhe regjistruar në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe konfirmimin zyrtar të organeve përgjegjëse statutore, konstatojmë se Këshilli Kombëtar i PD ka aktualisht në detyrë 453 anëtarë nga 478 anëtarë gjithsej të dalë nga Kuvendi Kombëtar i PD datë 17 Korrik 2022.
Me përgjegjësinë për të mbrojtur interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, konstatojmë se sot nuk ka patur një mbledhje legjitime të Këshillit Kombëtar të PD. Duke e konsideruar antistatutor rezultatin e takimit të sotëm, për të shmangur një tjetër ngërç në PD, për të ndalur përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike, si dhe për të garantuar forcimin e Partisë Demokratike, deklarojmë se:
Duke nisur nga sot do të ndërmarrim iniciativën për të kontaktuar individualisht dhe vlerësuar vullnetin e secilit anëtar legjitim të Këshillit Kombëtar mbi situatën në Partinë Demokratike dhe do të vazhdojmë përpjekjet për forcimin e Partisë Demokratike, të bindur se aktet përçarëse, përjashtimet, njëanshmëria dhe nxitimi, nuk ndihmon në ringritjen e PD", shprehen ata.
Këshilli Kombëtar i PD-së ka nisur punimet me dyer të mbyllura këtë të martë (20 qershor) në lidhje me procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi e ka konsideruar jo legjitime mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ndërsa në një deklaratë për mediat të hënën tha se PD ka nevojë për reflektim.
Kujtojmë se Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të PD-së më 29 korrik. Gazetarja e RTSH, Sonila Agostini siguroi formularin e kandidimit për kryetarin e PD-së, ku bëri me dije edhe kriteret të cilët duhet të plotësojë kandidati. Në këtë kuadër, Agostini tha se kandidati për kryetar të selisë blu duhet të plotësojë tre grupkriteresh, që lidhen me aftësitë e angazhimit politik, aftësitë e integritetit moral dhe aftësitë organizative.
/rtsh.al/