Mblidhet sot (20 qershor) Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, proces ky që i hap rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri që do të drejtojë ‘timonin’ e selisë blu.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD më 15 qershor, u vendos mbajtja e mbledhjes së Këshillit Kombëtar më 20 qershor, ku do të zgjidhet nënkryetari demokrat që do të drejtojë partinë deri në zgjedhjet e 29 korrikut ku do të përcaktohet kryetari i PD-së.
Pas dorëheqjes së Tabakut, vetëm Eneklejd Alibeaj është për momentin nënkryetar i PD, por në kushtet kur ai është dorëhequr si kryetar në detyrë, nuk mund të drejtoj procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në bazë të statutit të PD është Këshilli Kombëtar ai që zgjedh nënkryetarin dhe personi që do të zgjidhet, pritet të drejtojë partinë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Sa i përket zgjedhjes së kreut të selisë blu, procesi do të drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, ndërsa fushata zgjedhore do të zhvillohet nga data 24 qershor deri në datën 27 korrik 2023.
Gazetarja e RTSH, Sonila Agostini siguroi një ditë më parë (19 qershor) formularin e kandidimit për kryetarin e PD-së, ku bëri me dije edhe kriteret të cilët duhet të plotësojë kandidati.
Agostini tha se kandidati për kryetar të selisë blu duhet të plotësojë tre grupkriteresh, që lidhen me aftësitë e angazhimit politik, aftësitë e integritetit moral dhe aftësitë organizative.
/rtsh.al/