RTSH 24 Live

Politikë

Marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë merr “dritën jeshile” në Dhomën e Deputetëve të Italisë, i kalon Senatit

24/01/2024

Marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë merr “dritën jeshile” në Dhomën e Deputetëve të Italisë, i kalon Senatit

Dhoma e Deputetëve në Itali i ka dhënë dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa i kalon për miratim Senatit italian. Me 155 vota pro, 115 kundër dhe 2 abstenim, Dhoma e Deputetëve miratoi më 24 janar projektligjin për ratifikimin e Protokollit Itali-Shqipëri për emigrantët, “për forcimin e bashkëpunimit në çështjet e migracionit”.

Projektligji parashikon zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 6 nëntor 2023 mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Georgia Meloni për krijimin në Shqipëri të strukturave për pritjen e deri 3 mijë emigrantëve që shpëtohen në det.

Marrëveshja, me miratimin e plotë nga dy vendet, mbetet në fuqi për 5 vjet dhe rinovohet në heshtje për një periudhë të mëtejshme prej 5 vjetësh, përveç rasteve kur njëra nga dy palët kundërshton rinovimin dhe duhet të lajmërojë të paktën gjashtë muaj.

Për sa i përket kostove të lidhura, projektligji parashikon që pala italiane, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, krediton 16.5 milionë euro si paradhënie të një shume të madhe të rimbursimeve që lidhen me vitin e parë të aplikimit. Më pas, pala shqiptare do t'i komunikojë palës italiane shumën e shpenzimeve të kryera në semestrin e kaluar. Në mënyrë të veçantë, ligji autorizon shpenzime për vitin 2024 që synojnë krijimin e strukturave të nevojshme, që arrijnë në rreth 47.7 milionë euro.

Ndërsa në Shqipëri, marrëveshja për emigrantët ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata mori në shqyrtim çështjen, ku 30 deputetë të Kuvendit kërkojnë ndalimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

Kushtetuesja ende nuk ka dalë me një vendim pasi kërkon shqyrtimin e plotë të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995.”

/rtsh.al/