Gjykata Kushtetuese ka shtyrë vendimin për marrëveshjen e Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët nga Afrika Veriore.
Gjykata Kushtetuese mori të enjten në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë të dokumenteve, kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit me objekt deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.
Deputetët e “Rithemelimit” të PD-së, në kërkesën e tyre, kërkonin edhe ndalimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.
“Gjykata mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara Kuvendi i Shqipërisë (Kuvendi), Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe Avokatit të Popullit, si edhe provat e paraqitura nga këto subjekte, ndërsa konstatoi mungesën e prapësimeve me shkrim të Presidentit të Republikës. Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në këto rrethana, Gjykata vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024, ora 11.30.
“Sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.”, përfundon njoftimi për shtyp i Gjykatës Kushtetuese.
/rtsh.al/