Partia Socialiste dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i kanë propozuar Presidentit Bajram Begaj datën 11 maj për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025-ës.
Kreu i shtetit priti sot në takime fillimisht Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe kreun e grupit parlamentar socialist Niko Peleshi.
"Propozuam datën 11 maj. T'ju lëmë më shumë kohë emigrantëve", deklaroi Klosi pas takimit me Begajn.
Më pas, kreu i shtetit ka pritur në takim kreun e KQZ, i cili po ashtu i ka propozuar Presidentit 11 majin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
"Në takimin e sotëm me Presidentin e Republikës, z. Bajram Begaj propozova 11 Majin 2025 si datën optimale të mbajtjes së zgjedhjeve kuvendore. Kjo datë siguron më shumë kohë për përgatitje më të plota zgjedhore dhe organizim më efikas të votës së diasporës. Në takimin e sotëm me Presidentin e Republikës, z. Bajram Begaj propozova 11 Majin 2025 si datën optimale të mbajtjes së zgjedhjeve kuvendore. Kjo datë siguron më shumë kohë për përgatitje më të plota zgjedhore dhe organizim më efikas të votës së diasporës," u shpreh kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Partia Demokratike ishte ftuar sot në orën 10:30 për konsultimin me presidentin, por e bojkotoi takimin. Javën e kaluar kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, e quajti një proces "farsë", pasi "dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet".
Kujtojmë se partitë e vogla kanë propozuar datën 4 maj për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa kanë deklaruar se nëse Presidenti do të pranonte datën 11 maj, do të ishte favorizim për mazhorancën. Kjo pasi sipas tyre, më 9 maj do të mbahet në Tiranë, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe mbajtja e zgjedhjeve dy ditë pas mbërritjes së liderëve botërorë në kryeqytet, mund të ndikojë si avantazh për socialistët në zgjedhje.
/rtsh.al/