RTSH 24 Live

Aktualitet

Dumani: Në “lupën” e SPAK edhe prokurorë e gjyqtarë të shkarkuar nga vetingu

2 orë para

Dumani: Në “lupën” e SPAK edhe prokurorë e gjyqtarë të shkarkuar nga vetingu

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani, bëri të ditur se SPAK ka nisur një sërë çështjet penale duke marrë indicie nga vendimet e vetingut për shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend.

Kreu i SPAK sqaroi se vendimet e organeve të vetingut kanë shërbyer si indicie, që më pas prokurorët të thellojnë hetimet dhe të regjistrojnë çështjet penale për korrupsion pasiv ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar.

Gjithashtu Dumani theksoi se për subjektet që nuk e kanë kaluar procesin e vetingut ka aplikuar edhe ligjin antimafia për konfiskimin e pasurive të individëve të shkarkuar.

“Do ndalem te ndjekja penale për subjektet që i janë nënshtruar vetingut. SPAK ka pasur edhe raste kur ka aplikuar ligjin antimafia për subjektet të kësaj natyre dhe ka konfiskuar pasuri që u përkasin subjekteve të shkarkuar nga vetingu. Sa i takon hetimit , në hetim ka vend për të përmirësuar dhe ne po mësojmë të mos përsërisim të njëjtat gabime. Edhe materialet e përdorur në proceset administrative t’i përdorim në proces penal jo si prova të mirëfillta po si indicie që na shërbejnë për të gjetur provat.  Ne nuk kemi qenë të shurdhët dhe të verbër nga vendimet e vetingut edhe për raste kur nuk bëhen pjesë e hetimit tonë për shkak të veprën penale. Kemi regjistruar me iniciativën tonë hetimet penale duke na shërbyer si indicie vetëm përmbajtja e vendimit të vetingut, janë çështje që i kemi në hetim, por jemi të kujdesshëm dhe përpiqemi që pasona të caktuar në SPAK të bëjnë një filtrim të vendimeve të vetingut me qëllim që në rast se nga vetë përmbajtja krijohen indicie se mund të jemi para veprës së korrupsionit. Ne kemi regjistruar procese penale për korrupsion pasiv për prokurorë e gjyqtarë. Kemi një numër të madh çështjesh penale sa i përket hetimit të tyre”, u shpreh Dumani.

Drejtuesi i SPAK, Dumani shprehu gatishmërinë e institucioni për të bashkëpunuar me shoqërinë civile, si një mënyrë edhe për përmirësimin e performancës së hetimeve të SPAK. Me mbylljen e procesit të vetingut, Dumani bëri të ditur se në fund të muajit dhjetor drejtuesi i SPAK do të marrë edhe kompetencat e Komisionerit Publik.

“SPAK bashkëpunon me shoqërinë civile dhe kam deklaruar se shoqëria civile është e ftuar të bashkëpunojë dhe të kërkojnë informacion nga SPAK për tematika të caktuara. Jemi të vetëdijshëm si tematikat të caktuara analizohen nga shoqëria civile mund të shërbejnë për SPAK në përmirësimin e  performancës për këtë tematikë që është analizuar. Shpresoj që në të ardhmen të forcohet edhe më shumë ky bashkëpunim. Në fund të muajit e dhjetorit drejtuesi i SPAK merr edhe kompetencat edhe të Komisionerit Publik”, tha Dumani.

/rtsh.al/