RTSH 24 Live

Muzikë

Festivali i Këngës, zbulohet surpriza e këtij viti: "Një nga netët do i dedikohet 20 pjesëmarrjeve në Eurovizion"

01/05/2024

Festivali i Këngës, zbulohet surpriza e këtij viti: "Një nga netët do i dedikohet 20 pjesëmarrjeve në Eurovizion"

Edhe pse jemi ende disa muaj larg Fest 63, puna për Festivalin e Këngës në RTSH ka nisur, ndërsa moderatori Andri Xhahu ka zbuluar ekskluzivisht edhe një nga surprizat e këtij viti të kompeticionit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare.

Në studion e RTSH 24, Xhahu tha se ajo që publiku është mësuar ta quaj si nata e nostalgjisë, këtë vit do t’i dedikohet 20 pjesëmarrjeve të Shqipërisë në Eurovizion ndër vite, që do të këndohen nga këngëtarët në garë.

Shënohen 20 pjesëmarrje të Shqipërisë në Eurovizion. Në Festivalin e Këngës në RTSH, ka patur herë pas here vëmendje sa i takon festivalit Europian, ndërsa këtë vit dua të zbuloj që në një nga netët e Festivalit të Këngës këtë vit do të jetë e dedikuar veçanërisht 20 pjesëmarrjeve në Euovizion. Ne kemi parë që një nga netët ka qenë nata e nostalgjisë ku artistët në garë kanë kënduar këngë të muzikës shqiptare me artistë të tjerë të ftuar, ndërsa këtë vit do të këndohen këngët e Shqipërisë në Eurovizion ndër vite”, u shpreh ai.

Moderatori ka treguar edhe detaje nga edicioni i këtij viti të Eurovizionit, ku bëri me dije se nata finale, për herë të parë në Shqipëri, do të shfaqet për publikun e gjerë edhe përmes një monitori gjigand në Sheshin Italia.

Nata finale, në datën 11 maj, finalja e madhe do të shfaqet për publikun e  gjerë që nuk ka mundësi të jetë në shtëpi në atë çast, përmes ekranit të televizionit shqiptar, me një monitori gjigand do kenë mundësi ta ndjekin në Sheshin Italia. Kjo është një traditë në botë, por në Shqipëri ndodh për herë të parë në mënyrë kaq të organizuar”, bëri me dije Xhahu.

Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit nga këngëtarja Besa Kokëdhia me këngën “Titan”, ndërsa tashmë kanë nisur edhe provat. Xhahu dha lajmin e mirë se gjatë provave për natën e dytë, kur edhe do të ngjitet në skenë “Titan”, Besa Kiokëdhima u radhit e para nga ajo që mund ta quajmë juria e shtypit.

Këngët kalojnë në shumë faza provash në mënyrë që çdo gjë të shkojë perfekt në 3 netët. Për Besën shkoi shumë mirë dhe jam i lumtur të them që është pritur dhe është komentuar shumë mirë. Ka sondazhe të ndryshëm që tregojnë si shkoi prova e të gjithë artistëve që konkurrojnë në natën e dytë, sepse ne konkurrojmë në natën e dytë, dhe juria e shtypit që ka mundur të votojë, Besa u radhit e para sepse këndoi shumë mirë live dhe performanca ishte e kuruar në detaj”, u shpreh moderatori.

Po ashtu, ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e kaluara, këtë vit publiku do të ketë mundësi të njihet me këngët e 5 vendeve donatore dhe vendit fitues të edicionit të mëparshëm që në gjysmë finale.

Festivali është i mirë organizuar në çdo detaj dhe nuk guxon shumë ndryshime të mëdha sepse ka një formulë që i ka rezultuar e suksesshme. Puna për komentin dhe sa i takon radiotelevizionit Shqiptar ka nisur shumë herët sepse nuk mund t’i lihet në dorë risisë, por punohet fort për të sjellë informacione të detajuara të kontrolluara. Festivali do ketë shumë të ftuar të festivaleve të mëparshme, Helena Paparizou, një risi tjetër është që shtete e mëdha, shtete donatore bashkë me fituesi, pra 6 vende përgjithësisht ka ndodhur që këndojnë në finale dhe publiku nuk njihej shumë me këngët e tyre, ndërsa këtë vit do këndojnë që në gjysmë finale, jashtë garës, por kënga do të këndohet e mirëfilltë. Pritet të rezervojë shumë gjëra të bukura ky Eurovizion”, tregon moderatori.

Një vëmendje e madhe këtë vit i është kushtuar edhe sigurisë, nxitur edhe prej situatës në Lindjen e Mesme, pas konflikti mes Izraelit dhe Palestinës. Xhahu sqaroi se janë marrë masa të shtuara dhe se siguria është maksimale.

Ka masa të shtuara sa i takon sigurisë së artistëve, gazetarëve. Ka patur informacione të pakonfirmuara që mund të ketë protesta apo trazira, por janë marrë masa që çdo gjë të shkojë në mënyrë sa më korrekte. Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovizion këtë vit ka sjellë një pështjellim të situatës saqë u detyrua të ndryshonte edhe tekstin e këngës sepse në një nga vargjet e këngës kishte një thirrje për situatën që po ndodhe në Lindjen e Mesme dhe delegacioni izraelit u detyrua ta ndryshojë për tju përshtatur Eurovizionit që është një festival i muzikës dhe jo i politikës. Ka masa të shtuara, siguria është maksimale”, theksoi ai.

/rtsh.al/