Skena në stadiumin “Caja Magica” në Madrid të Spanjës, u shndërrua në një arenë magjike për talentet e rinj të Europës.
Një nga yjet që u ngjit ishte edhe 12-vjeçarja shqiptare, Nikol Çabeli.
Me këngën e saj “Vallëzoj”, Nikol përcolli mesazhin e fuqishëm të dashurisë ndaj natyrës dhe harmoninë e jetës.
Pas votimit ajo u rendit e 7-ta mes 17 konkurrentëve .
Kryeministri Edi Rama ndau momente nga performanca e saj në “Eurovision Junior 2024”.
“Shkëlqen në skenën ndërkombëtare Shqipëria!” vlerësoi Rama.
Fituese e “Eurovision junior” u shpall Andria Putkaradze e Gjeorgjisë me këngën "Nënës time" ( "To My Mom" )
Festivali u transmetua direkt nga RTSH 1 HD.
Nikol Çabeli përfaqësoi Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest” në Madrid të Spanjës, pasi u shpall fituese në “Junior Fest Albania 2024” me këngën “Vallëzoj”, me poezi nga Eriona Rushiti, muzikë nga Endri Muçaj dhe orkestrim nga Enis Mullaj. “Junior Fest Albania ” është një Festival Mbarëkombëtar për fëmijë që zhvillohet nga RTSH, si përfaqësues dhe anëtar i EBU-së. Slogani i këtij festivali këtë vit ishte “Ti lulëzo”.
/ rtsh.al /