Ndërsa sot, 22 nëntor është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë, gjuhëtari Xhevat Lloshi ka tërhequr vëmendjen e gjuhës amtare. I ftuar në studion e RTSH24, Lloshi vlerësoi si të shkëlqyer alfabetin e gjuhës shqipe ndërsa theksoi faktin që kjo gjuhë përputhet me mjetet elektronike të ditëve të sotme.
Gjuhëtari solli në vëmendje edhe premtimin e Ministrisë së Arsimit për përgatitjen e një manuali të gjuhës shqipe.
“Është një alfabet i shkëlqyer, është kaq i mirë saqë përputhet me mjetet elektronike. Edhe tastiera është e përputhshme si në gjuhën anglisht ashtu edhe në shqip. Ka vetëm dy shkronja, ajo Ç dhe Ë, por që mund të zëvendësohen.
Shtëpitë botuese të kenë redaktor, që të shmangen gabimet. Ministria e Arsimit ka premtuar do të përgatisë manualin e gjuhën shqipe. Kam dhjetë vjet që e kërkoj një të tillë", tha Lloshi.
Lloshi shprehu shqetësimin se sipas tij "ka rënë niveli i mësimdhënies në shkollë”. Ai shton se është shumë e nevojshme kualifikimi i mësuesve.
Sot, 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në Kongresin e Manastirit. Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908.
/rtsh.al/