Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se vendimi i dhënë dje për ish-kryeministrin Sali Berisha, i referohet masave të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, dhe jo masës “arrest në shtëpi”. Gjykata Kushtetuese ka reaguar për shkak të një konfuzioni në disa portale, duke theksuar se kërkesa për vlerësimin e masës “arrest në shtëpi” është bërë më 18 nëntor dhe se do të shqyrtohet në një seancë tjetër gjyqësore.
“Duke marrë shkas nga lajmet dhe opinionet në media dhe portale, në lidhje me vendimmarrjen e djeshme të Gjykatës Kushtetuese, sqarojmë se vendimi i referohet masave të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, dhe jo shqyrtimit të masës “arrest në shtëpi”.
Sikurse u deklarua dhe në Konferencën për shtyp të Kryetares Zaçaj, ju sqarojmë se për sa i takon vlerësimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, kërkesa në lidhje me këtë masë është regjistruar në Gjykatë, në datën 18.11.2024, dhe do të jetë objekti një shqyrtimi tjetër gjyqësor sipas afateve dhe rregullave të parashikuara në ligj”, njofton Gjykata Kushtetuese.
Ditën e djeshme (21 nëntor), Gjykata Kushtetuese vlerësoi se masa “detyrim paraqitje” për Berishën ishte proporcionale, duke argumentuar se një masë e tillë nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet, nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin “ndalim të daljes jashtë vendit”, për shkak të cenimit të parimit të proporcionalitetit, pasi, sipas Gjykatës, qëllimet e saj përmbushen nga masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
/rtsh.al/