RTSH 24 Live

Muzikë

Pas përfaqësimit në "Junior Eurovision", Nikol Çabeli: Eksperienca më e bukur

20/11/2024

Pas përfaqësimit në "Junior Eurovision", Nikol Çabeli: Eksperienca më e bukur

Me këngën “Vallëzoj”, artistja e vogël gjirokastrite përfaqësoi Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest”, ku me performancën e saj arriti të renditet e 7-ta mes 17 konkurrentëve.

Nikol Çabeli e veçon ngjitjen në skenën e madhe të stadiumit “Caja Magica” të Madridit si një nga eksperiencat më të bukura të rrugëtimit të saj dhe një shtysë më tepër për t’u rritur artistikisht.

"Vendi i pestë nga juria nuk është pak për mua. Më bën që të luftoj, të vazhdoj në karrierën time," u shpreh këngëtarja e re.

13-vjeçarja në intervistën e parë pas mbërritjes në vendlindje nuk harron të shprehë edhe falënderimet e mirënjohjen e saj për të gjithë ata që e mbështetën për t’u ngjitur në një skenë ndërkombëtare.

"Falënderoj Radio Televizionin Shqiptar. Falënderoj kompozitoren time Eriona Rushiti dhe Enis Mullai. Falënderoj gjithë delegacionin tim, që më shoqëroi në Spanjë. Falënderoj prindërit e mi, të gjithë ata që më votuan, të gjithë ata që më mbështetën," tha Nikol.

Aktivitetin e saj artistik, 13-vjeçarja e ka nisur që në moshën 3-vjeçare me pjesëmarrjen në evente dhe kompeticione televizive, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme.

Nikol nuk spikat vetëm për zërin e bukur dhe potent, por edhe në kërcim e instrumente.

/rtsh.al/