Vepra "Përhumbur" e kompozitorit shqiptar Dorian Çene, çel koncertin e radhës që do të mbajë Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, një traditë kjo që vijon prej kohësh, për të sjellë pranë publikut edhe krijimet artistike nga virtuozët tanë.
Më pas veprës shqiptare i bashkohet edhe Koncert për piano Nr. 2, një nga më të famshmit në botë, i kompozuar nga pianisti virtuoz dhe dirigjent rus, Sergej Rachmaninoff (Rakmaniof). Koncerti vjen nën dirigjimin e Olsi Sinanit dhe solist pianistin Ekland Hasa.
“Është një koncert shumë i larmishëm me një repertor shumë të pasur, një kualitet artistik shumë të lartë ku luhet Simfonia e 5 e Beethoven. Një vepër shumë interesante është edhe ajo e një kompozitori të ri Dorian Çene, e cila ka një frymë të re, një frymë kontemporane dhe natyrisht do të jetë edhe Koncert Nr.2 nga Sergej Rachmaninoff (Rakmaniof)”, u shpreh pianisti Ekland Hasa.
Koncerti, vjen me kryeveprat më të bukura dhe aq të dashura për publikun shqiptar dhe do të mbahet ditën e mërkurë, më 20 nëntor, në orë 18:00 në sallën e Universitetit të Arteve.
/RTSH/