Festivali i 63-të i Këngës sjell një ndryshim të papritur në listën e konkurrentëve. Këngëtari dhe aktori i njohur Olsi Bylyku ka njoftuar tërheqjen e tij nga gara për arsye personale.
Sipas rregullores së festivalit, në raste të tilla, zëvendësimi i një konkurrenti bëhet duke i dhënë përparësi këngëtares ose këngëtarit që ka marrë më shumë pikë nga komisioni përzgjedhës gjatë procesit të vlerësimit paraprak.
Në këtë rast, Klea Dina do të jetë pjesë e Festivalit me këngën “Dashuri ndiej”.
Këtë vit, gara sjell këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, duke përfshirë emra të njohur dhe artistë të rinj, të cilët konkurrojnë për çmimin e madh dhe mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025.
Organizatorët kanë premtuar një edicion të veçantë të kuruar deri në detaj.
Festivali i 63-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) pritet të mbahet në dhjetor 2024, duke mbledhur 30 artistë të spikatur të muzikës shqiptare. Lista e pjesëmarrësve, e shpallur më 7 tetor 2024, përfshin emra të njohur dhe talente të reja, duke ofruar një përzierje të stilit tradicional dhe modern.
/rtsh.al/