Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe, një vepër me rëndësi të madhe, është prezantuar sot nga Akademia e Shkencave, në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe.
Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi tha se për hartimin e këtij Fjalori punuan 25 hartues dhe 55 bashkautorë. Gjinushi bëri me dije se po ashtu u krijua edhe një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milion njësish, në të cilat u përfshinë tërë fjalorët e mëparshëm, si dhe veprat e autorëve më në zë shqiptarë.
“Për të hartuar këtë vepër u ftuan tërë specialistët e fushës në trojet shqiptare e Arbëri, përgjigjja e gatishmëria e tyre, si dhe e qeverisë dhe Kryeministrit për të na besuar e financuar këtë projekt madhor, mundësoi fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore. Për hartimin e saj u ngrit një grup i përbërë nga 25 hartues, 55 bashkautorë të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme.
Pra, u ngrit një trupë e krahasueshme me dy institute, sepse Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë ka sot 21 punonjës kërkimorë-shkencorë. Kjo trupë përbëhet nga punonjësit akademikë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Universitetit të Prishtinës, të Tiranës e universitetet e tjera publike në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut si dhe të Universitetit të Palermos e të Kozencës. Për hartimin e tij u krijua një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milion njësish, në të cilat u përfshinë tërë fjalorët e mëparshëm, ndër të tjera, si dhe veprat e autorëve më në zë shqiptarë nga Buzuku, Fishta e deri tek Kadareja, si dhe u krijua njësia me specialistë të gjuhësisë kompjuterike të IT për të mundësuar hartimin e tij sipas teknologjive më të përparuara të kohës”, tha ai.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu e konsideroi Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe si një mburojë për ruajtjen e pastërtisë dhe pasurisë së gjuhës sonë.
“Me rreth 120 mijë fjalë, ky Fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe. Në një kohë ku globalizmi dhe dixhitalizmi ndikojnë thellësisht në kulturat dhe gjuhët e botës, ky fjalor është një mburojë për ruajtjen e pastërtisë dhe pasurisë së gjuhës sonë shqipe. Ky Fjalor ruan dhje zhvillon atë që Rilindasit e quajtën fjala e lirë shqiptare.
Ky Fjalor është rezultat i punës së një ekipi të përkushtuar studiuesish që kanë përmbledhur jo vetëm leksikun e përditshëm të shqipes, por edhe forma të rralla, dialekte dhe nuanca historike të saj. Ky fjalor nuk është vetëm një mjet për komunikim, por edhe një burim për hulumtime të mëtejshme shkencore, një udhërrëfyes për mësimdhënien dhe një ndihmës për ruajtjen e identitetit tonë në kohë sfidash”, theksoi ministrja.
/rtsh.al/