RTSH 24 Live

Kosovë

Dhuna ndaj gazetarëve/ Albin Kurti: E papranueshme, duhet të dënohet nga të gjitha palët

16/06/2023

Dhuna ndaj gazetarëve/ Albin Kurti: E papranueshme, duhet të dënohet nga të gjitha palët

Kryeministri, Albin Kurti ka reaguar ndaj sulmit brutal të gazetarëve prej protestuesve serbë që ndodhi gjatë ditës së sotme pranë komunës së Leposaviqit.

Përmes një postimi në Twitter Kurti ka theksuar se këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët.

Një tjetër gazetar është sulmuar brutalisht teksa mbulonte zhvillimet në veri, gjatë ditës së sotme nga persona të maskuar. Sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që përndryshe janë të zëshme për situatën”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq, më herët, kryeparlamentari Galuk Konjufca theksoi se me këtë sulm Beogradi tregon se nuk ka dhënë asnjë urdhër apo shenjë për të tërhequr grupet kriminale.

Konjufca ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.

Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Gjithashtu, edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar mbi sulmet brutale nga protestues të maskuar ndaj gazetarëve të Kosovës në Leposaviq.

Ambasada britanike e ka cilësuar si të papranueshme dhe të pajustifikuar dhunën ndaj gazetarëve. Ajo u ka bërë thirrje udhëheqësve të protestës t’i ndalin sulmet ndaj gazetarëve që janë aty vetëm për të raportuar mbi zhvillimet e ngjarjeve.

Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe e pajustifikuar. Ne u bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet”, thuhet në njoftim.

Dhuna ndaj gazetarëve erdhi pak minuta pas raportimit nga Leposaviqi të gazetares së Radio Televizionit të Kosovës, Venera Xhoxhaj për Radio Televizionin Shqiptar.

Ka një lloj tensionimi herë pas here, protestuesit qëndrojnë para objektit të komunës lëvizin me grupe të caktuara dhe vëzhgojnë me theks të veçantë mediat”, deklaroi Xhoxhaj.

Pas këtij raportimi gazetarja Xhoxhaj është sulmuar bashkë me reporterë dhe kameramanët nga protestuesit serbë. Nga pamjet e transmetuara edhe nga RTSH-ja, duket se si serbët dhunojnë gazetarët dhe kameranët, ku midis tyre ka pësuar lëndime edhe kameramani i RTK-së, pasi është qëlluar në trup dhe kokë.

/rtsh.al/