RTSH 24 Live

Kosovë

Dhuna e serbëve ndaj gazetarëve të Kosovës, ambasada britanike: E papranueshme

16/06/2023

Dhuna e serbëve ndaj gazetarëve të Kosovës, ambasada britanike: E papranueshme

Ambasada e Britanisë në Kosovë ka reaguar mbi sulmet brutale nga protestues të maskuar ndaj gazetarëve të Kosovës në Leposaviq.

Ambasada britanike e ka cilësuar si të papranueshme dhe të pajustifikuar dhunën ndaj gazetarëve.

Ajo u ka bërë thirrje udhëheqësve të protestës t’i ndalin sulmet ndaj gazetarëve që janë aty vetëm për të raportuar mbi zhvillimet e ngjarjeve.

Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe e pajustifikuar. Ne u bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet”, thuhet në njoftim.

Gazetarët e Kosovës  në Leposaviq janë sulmuar me shok-bomba dhe me gurë nga persona të maskuar të cilët i kanë ndjekur e duke i rrahur.

Dhuna ndaj gazetarëve erdhi pak minuta pas raportimit nga Leposaviqi të gazetares së Radio Televizionit të Kosovës, Venera Xhoxhaj për Radio Televizionin Shqiptar.

Ka një lloj tensionimi herë pas here, protestuesit qëndrojnë para objektit të komunës lëvizin me grupe të caktuara dhe vëzhgojnë me theks të veçantë mediat”, deklaroi Xhoxhaj.

Pas këtij raportimi gazetarja Xhoxhaj është sulmuar bashkë me reporterë dhe kameramanët nga protestuesit serbë. Nga pamjet e transmetuara edhe nga RTSH-ja, duket se si serbët dhunojnë gazetarët dhe kameranët, ku midis tyre ka pësuar lëndime edhe kameramani i RTK-së, pasi është qëlluar në trup dhe kokë.

/rtsh.al/