GJKKO ka vendosur të lë ë burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.
Masa "arrest me burg" u vendos edhe për ish zyrtarët e tjerë Adnand Tocilla, përgjegjës i zyrës urbanistike për “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”, Fiqiri Farruku, administrator i firmës së ndërtimit, Adhurim Qehajaj, ish drejtori i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit, Ermal Lama, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit dhe Fatmir Ejupi, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit, të gjithë të akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim”.
Masa “arrest shtëpie” u dha për Meri Semini, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit dhe Adrian Bulku, topograf, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim”.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako doli para Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ku mohoi akuzat duke deklaruar se nuk ka shkelur asnjë procedurë për 2 rastet për të cilat akuzohet për shpërdorim detyre, i pari në lidhje me procedurat për lejen e ndërtimit të një pallati dhe rasti tjetër në lidhje me procedurat e një tenderi.
Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor për shpërdorim detyre lidhur me dy raste. SPAK shpjegon se Dako në bashkëpunim me 9 ish-zyrtarët e tjerë “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar. Dako së bashku me drejtorin e firmës së ndërtimit, arkitekten dhe topografët kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor, të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje”.
Në rastin e dytë, SPAK thekson se në vitin 2014 ka rezultuar se Bashkia e Durrësit ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK grupi i ngritur nga Dako për vlerësimin e projektit kanë nxjerrë në mënyrë të qëllimshme një vlerë shumë herë më të lartë se sa vlera reale e përcaktuar edhe me VKM.
/rtsh.al/