Kryetarja e Komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi, deputetja demokrate, Albana Vokshi, akuzoi mazhorancën se që kur miratoi ngritjen e këtij komisioni, mazhoranca e kishte skenarin e qartë për “pengimin e hetimit parlamentar”.
Teksa komisionit hetimor i mbaroi afati pa u pyetur të gjithë dëshmitarët dhe nga Konferenca e Kryetarëve nuk pati dakordësi për shtyrjen e afatit, Vokshi tha se opozita u pengua të bëjë punën e vet.
Deputetja demokrate shtoi se nga dëshmitë e kryera janë mbledhur shumë fakte e prova, që do të shërbejnë për kallëzimin në SPAK të personave të përfshirë në koncesionet e sterilizimit dhe check-up.
“Ne si opozitë kemi 10 vite që denoncojmë çdo ditë koncesionet në shëndetësi dhe kemi dëshmuar para organeve si persona në dijeni të këtyre aferave dhe kemi ndihmuar në zbardhjen e tyre. Kemi bërë betejat tona në parlament dhe me protestë për të ngritur komisionet hetimore që refuzoheshin nga mazhoranca. Kemi kërkuar ngritjen e 8 komisioneve hetimore por ato refuzoheshin me urdhër të Ramës. Pas betejës tonë arritëm të ngrinim komisionet për TIMS dhe koncesionet në shëndetësi. Ne do kërkojmë hetimin e dhe të dy koncesioneve të tjera. Rama ka qenë dëshmitari i parë i kërkuar nga opozita, nuk bëmë kompromis, mazhoranca dëshmoi se nuk kishte vullnet për hetim parlamentar.
10 mbledhje të bojkotuara nga mazhoranca, se kishin marrë porosinë për të penguar hetimin parlamentar. Kanë tentuar të rrëmbejnë dhe drejtimin e komisionit hetimor, ku 80 % e deputetëve të opozitës u pezulluan për 40 ditë. Qëllimi ishte të minohej puna e komisionit parlamentar. Janë lejuar të dëshmojnë persona që nuk ishin fare në listën e dëshmitarëve. Mazhoranca u bë mburojë e këtij korrupsioni. Deputetët e opozitës e kanë kryer detyrën e tyre, kemi dëgjuar më dhjetëra dëshmitarë, kemi marr prova dhje fakte ndaj shkeljeve të përsëritura ligjore dhe do bëjmë kallëzime shtesë. Është krijuar një rrjet i tërë kompanish të lidhur me familjarët e tyre për të gllabëruara paratë publike duke vepruar si një grup i strukturuara kriminal.”, tha Vokshi.
Ajo akuzoi disa figura të mazhorancës, si nënkryetarin Plarent Ndreca dhe deputeten Milva Ekonomi, se janë në konflikt interesi prej lidhjeve me koncesionin e sterilizimit.
“Së pari Plarent Ndreca është në akuzë nga SPAK dhe ai drejtonte mazhorancën në komision në konflikt interesi. Ka qene edhe avokati i koncesionit të sterilizimit, Milva Ekonomi ka qenë pjesë e grupit të punës ku ka firmosur për Sterilizimin te kontrata financiare. Të dy në konflikt interesi”, tha Vokshi.
/rtsh.al/