RTSH 24 Live

Politikë

Pr.buxheti 2025, Celibashi: Në fokus votimi elektronik në Tiranë dhe modernizimi i infrastrukturës së KQZ-së

4 orë para

Pr.buxheti 2025, Celibashi: Në fokus votimi elektronik në Tiranë dhe modernizimi i infrastrukturës së KQZ-së

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, paraqiti sot para Komisionit të Ligjeve projektbuxhetin për vitin 2025, duke theksuar nevojën për financim të shtuar për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm dhe përmirësimin e infrastrukturës së institucionit.

Celibashi theksoi se përveç buxhetit të zakonshëm për funksionimin e KQZ-së, që është vlerësuar në mbi 523 milionë lekë, ka pasur kërkesa për fonde të tjera të nevojshme për realizimin e zgjedhjeve të vitit 2025. Sipas tij, fillimisht është kërkuar 9.4 miliardë lekë që do të mbulonin jo vetëm shpenzimet për zhvillimin e zgjedhjeve, por edhe për implementimin e votimit elektronik, në 5 qarqe.

Celibashi pranoi se, për shkak të kohës të kufizuar dhe mosdakordësisë politike, votimi elektronik në katër qarqet e tjera është i pamundur për këtë cikël zgjedhor. Për shkak të kësaj, Celibashi tha se votimi elektronik do zhvillohet vetëm në qarkun e Tiranës dhe se nga buxheti prej 9.4 miliardë lekë do të zbriten vlerat e votimit elektronik në 4 qarqet e tjera.

“Kemi bërë një vlerësim të nevojave të KQZ dhe atyre që lidhen me përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve 2025. Për veprimtarinë e institucionit nevojitet një buxhet mbi 523 milionë lekë, ndërsa në kërkesën e dërguar për sa i përket kostove për zgjedhjet duhen mbi 9 miliardë e 461 milionë lekë. Lidhur me zgjedhjet dhe buxhetin që duhet jemi tërhequr së fundi nga kjo kërkesë sepse shifra prej 9.4 miliardë ka në llogarinë e vet zhvillimin e zgjedhjeve dhe votimi elektronik në 5 qarqe. Për kohën që është në dispozicion kjo është absolutisht e pamundur të zhvillohet dhe në kërkesën e re krahas elementëve të tjerë kemi parashikuar votimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës. Kemi patuar një komunikim formal me partitë politike për këtë çështje dhe deri në momentin që flasin se kemi dakordësinë e të gjitha palëve dhe këtë duhet ta kemi në konsideratë ne si KQZ për shkak të sensibilitetit që ka ky lloj votimi. Ka një dakordësi nga një anë e politikës për votimin elektronik në Tiranë, por nuk ka dakordësi për vijimin e votimit elektronik nga një pjesë tjetër. Shifra prej 9.4 mld nuk është kaq, por ka një llogari më të ulët pasi janë zbritur vlerat e votimit elektronik në 4 qarqet e tjera”, u shpreh Celibashi.

Në lidhje me kërkesat për shtesa të buxheti për KQZ-në, Celibashi theksoi një rritje prej 56 milionë lekësh për shërbime të nevojshme, si dhe një shtesë prej 137 milionë lekësh për investime, që përfshijnë modernizimin e sistemeve teknologjike dhe përmirësimin e logjistikës së KQZ-së. Ai e theksoi rëndësinë e ndërtimit të infrastrukturës për administrimin e pamjeve filmike nga qendrat e votimit, të cilat aktualisht nuk janë të disponueshme në mënyrë të organizuar.

“Sa i përket buxhetit të KQZ, kemi kërkuar shtesë prej 56 mln lekësh për shërbimet që i duhen KQZ për të mbështetur proceset që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e sistemeve dhe moduleve që KQZ ka në përdorim. Një pjesë janë të financuar nga donatorë të ndryshëm kryesisht nga Zvicra që shkojnë rreth 1 mln euro, por ka qenë pjesë e marrëveshjes që KQZ në të ardhmen ka përgjegjësinë e mirëmbajtjes së këtyre moduleve. Implikohet shuma prej 56 mln që kemi kërkuar si shtesë në buxhetin e institucionit të KQZ. Kemi kërkuar dhe një shtesë për 137 mln lekësh në zërin e investimeve. Sidomos përballë faktit kur jemi para zgjedhjeve. Lidhur me adresimin e pamjeve filmike në qendrat e votimit nuk kemi një sistem administrimi të këtyre filmimeve dhe e kemi të vështirë të identifikojmë qendrën dhe kohën se kur kanë ndodhur këto filmime në rast se kërkohen nga një subjekt politik”, tha Celibashi.

Një tjetër element i rëndësishëm është krijimi i një moduli të ri për hartat e qendrave të votimit dhe zonave përkatëse, një detyrim i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, i cili ende nuk është plotësuar.

“Një pjesë tjetër shkon në gjurmimin e bazës materiale të logjistikës të KQZ gjatë ditës së zgjedhjeve dhe një inventarizim më të përshtatshme për bazën materiale. Janë 19.5 mln lekë që duhet për të ndërtuar modulin e hartave të qendrave të votimit, harta e zonave dhe asnjëherë nuk është përmbushur kjo pikë nga KQZ edhe pse e vjen si detyrim nga Kodi Zgjedhor. 25 mln lekë lidhen më ndërtimin e rrjetit të brendshëm të KQZ, ku është një rrjet shumë i amortizuar”, u shpreh Celibashi.

/rtsh.al/