RTSH 24 Live

Politikë

Plarent Ndreca del SPAK: Çështja konsiderohet akoma në hetim!

2 orë para

Plarent Ndreca del SPAK: Çështja konsiderohet akoma në hetim!

Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca doli pasditen e së premtes nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas më shumë se katër orësh. Ndreca është marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Deputeti socialist tha për gazetarët se do të flasë në momentin e duhur.

“Do shprehem në momentin që duhet të shprehem. Do shprehem në atë moment që unë konsideroj se është i duhuri. Mos u nxitoni, do shprehem në momentin e duhur. Çështja konsiderohet akoma në hetim”, tha Ndreca.

Sipas SPAK, Ndreca akuzohet për pabarazi në tendera apo ankande publike, në lidhje me punën për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës kur mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Deputeti u mor i pandehur më 25 tetor të këtij viti nga SPAK, ndërsa ndaj tij vijojnë ende hetimet. “Më datë 25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr. 240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike””, bëhej e ditur në një reagim të SPAK.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sipas të cilit zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe Komisariatit Nr. 4 në Tiranë. 

/ rtsh.al /