RTSH 24 Live

Politikë

Ministri Manja pret zëvendëskryeministrin e RMV-së: Të angazhuar për shtetin e së drejtës

2 orë para

Ministri Manja pret zëvendëskryeministrin e RMV-së: Të angazhuar për shtetin e së drejtës

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka pritur në një takim zyrtar, zëvendëskryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai.

Ministri teksa ka bërë publik lajmin në rrjetet sociale, shkruan se në qendër të bisedimeve mes tyre ishte reforma në drejtësi dhe angazhimi për të punuar bashkërisht drejt integrimit evropian të të dy vendeve.

“Një diskutim miqësor dhe zyrtar mbi sfidat e integrimit në BE, reformën në drejtësi dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e administratës publike. Angazhimi ynë i përbashkët për shtetin e së drejtës dhe transparencën është kyç për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimit në BE dhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon”, tha Manja në postimin e tij në rrjetet sociale.

Manja dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut vunë theksin mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet qeverive, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Ky takim riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për një sistem drejtësie të fortë dhe për një shoqëri më të sigurt, në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

 

/rtsh.al/