RTSH 24 Live

Politikë

Çyrbja merret në pyetje nga SPAK: S’kam përdorur kurrë aplikacionin SKY/ECC

3 orë para

Çyrbja merret në pyetje nga SPAK: S’kam përdorur kurrë aplikacionin SKY/ECC

Ish-deputeti socialist, Jurgen Çyrbja, u mor në pyetje për rreth dy orë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku është akuzuar për dekonspirim të operacioneve të policisë dhe shitje të sekretit shtetëror tek bandat kriminale. Çyrbja, i cili ndodhet në burg që prej 21 tetorit, ka mohuar të gjitha akuzat gjatë marrjes në pyetje.

Sipas burimeve për RTSH, gjatë seancës së pyetjeve, Çyrbja ka deklaruar se nuk ka përdorur kurrë aplikacionin SKY/ECC, dhe se nuk ka komunikuar me persona të dyshuar për aktivitete kriminale. Po ashtu, ai ka hedhur poshtë akuzën për shitjen e sekretit hetimor, duke theksuar se nuk ka mbështetur asnjë individ që është në kërkim nga organet e rendit.

Çyrbja u arrestua më 21 tetor pas një hetimi të SPAK, ku akuzohet për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Hetimet përfshijnë zbërthimin e bisedave të tij në aplikacionin SKY/ECC, ku akuzohet se ka informuar bandat kriminale në Durrës për operacionet e policisë, duke dekonspiruar plane të sigurisë dhe kontrollet që do të zhvilloheshin për kapjen e personave në kërkim.

Përveç Çyrbjas, një tjetër person i lidhur me këtë çështje, Ahmet Masha, është arrestuar gjithashtu për përfshirjen në këtë rrjet të shkeljes së sekretit shtetëror. Dyshimet janë se Çyrbja dhe Masha kanë transmetuar informacione sekrete lidhur me planet operacionale të policisë në Durrës, duke ndihmuar bandat kriminale për t’u larguar nga kontrolli i autoriteteve.

/rtsh.al/