RTSH 24 Live

Sociale

Situatë e pazakontë me virozat tek të vegjlit - Fluks i lartë vizitash, sëmundshmëri e zgjatur dhe e përsëritur

3 orë para

Situatë e pazakontë me virozat tek të vegjlit - Fluks i lartë vizitash, sëmundshmëri e zgjatur dhe e përsëritur

Vjeshta e këtij viti duket më e pazakontë sa i përket pranisë së virozave dhe sëmundshmërisë në popullatë por më të prekurit janë të vegjlit.  Mjekët po përballen me një fluks të lartë vizitash në qendra shëndetësore dhe spitale, gati e ngjashme me periudhën e pikut të gripit në dimër.

Më të goditurit nga virozat dhe infeksionet respiratore këto ditë janë të vegjlit. Si në spitale ashtu edhe në qendrat shëndetësore fluksi I vizitave shënon çdo ditë radhë-pritje të gjata.

Ne përballemi më fëmijë që vijnë disa herë tek ne pothuajse më të njëjtat simptoma si kollë , temperaturë dhe problematika të mëdha duke shkuar në rreth 50 vizita në ditë në qendër. Mendojmë që për kohën është fluks I lartë. Nëse dimrin e kaluar kishim viroza që zgjasnin gjatë, e njëjta gjë ndodh tani. Ne shihnim në dimrin e kaluar që kolla ishte simptoma e parë që fillonte dhe e fundit që largohej dhe po të njëjtën gjë shohim tani”, u shpreh Sonila Brati, Pediatre, QSH.2.

Fëmijët po preken nga temperatura të larta  që shkojnë deri në 40, të vështira për t’u dominuar. Infeksionet respiratore, “Covid”-i, gripi, virusi sinsicial –respirator (RSV), po mundojnë shumë të vegjlit të cilët në shumë raste kërkojnë ndihmë në spital.

Infeksionet e rrugëve të poshtme respiratore janë ato që kanë dominuar këto ditë si laringo-trakeitet, bronshite, forma të bronkopneumonive , nuk kemi shkuar për fat deri në pneumoni. Bebet e vogla me bronkiolite i kemi çuar në QSUT për hospitalizim. Jemi mundur të çojmë sa më pak atje për shkak se edhe atje fluksi ka qenë i shtuar dhe i papërballueshëm  deri në pamundësi për t’i shtruar fëmijët”, tha Brati.

Mjekët apelojnë që të paktën kur fëmijët të jenë të sëmurë të mos dërgohen në kopshte, shkolla e çerdhe pasi zinxhiri I infeksioneve shtohet dhe gjendja e fëmijës përkeqësohet.

Gazetare: Sonila Mlloja

/RTSH/