Në qarkun e Gjirokastrës, nga fillimi i këtij viti e deri më tani, 24 nëna kanë përfituar bonusin e bebes përmes Shërbimit Social Shtetëror. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Magdalena Margariti, për të përfituar këtë bonus, aplikantët duhet të kenë jetuar brenda territorit të Shqipërisë për të paktën 180 ditë të vitit paraardhës.
“Gjatë vitit 2023 ka filluar të jepet për persona të cilët vazhdojnë të jenë brenda territorit të Shqipërisë dhe prindërit përfitues të “Bonusit të bebes” duhet të jetojnë të paktën 180 ditë në territorin e Shqipërisë”, u shpreh Magdalena Margariti, Drejtoreshë në Shërbimin Social Shtetëror.
Margariti ka dhënë detaje mbi dokumentacionin e nevojshëm për tërheqjen e bonusit nga ky institucion.
“Duhet të kenë me vete mjetin e identifikimit dhe këtu vet deklarojnë një formular i cili dërgohet në institucionin përkatës të kufirit dhe emigracionit për të parë më pas pjesën e qëndrimit që vërteton qëndrimin e tyre në Shqipëri dhe pasi ky formular të kthehet atëherë qytetari vjen pranë nesh dhe tërheq bonusin”, tha Margariti.
Ky program mbështet të gjitha nënat e reja, duke u ofruar një ndihmë të rëndësishme financiare pas lindjes së fëmijës.
/RTSH/