RTSH 24 Live

Politikë

Basha depoziton kërkesën për kreun e PD-së, në garë përballë Gjergj Hanit

20/06/2023

Basha depoziton kërkesën për kreun e PD-së, në garë përballë Gjergj Hanit

Lulzim Basha ka depozituar kërkesën për t’u bërë pjesë e garës për kryetar të PD. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë Komisionit Zgjedhor të ngritur pranë PD që do të merret me organizimin e zgjedhjeve, ku mësohet se depozitimi i kërkesës nga Basha erdhi pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD që u mbajt gjatë ditës dhe pak ore para mbylljes se afatit te vendosur nga kryesia e PD për dorëzimin e kandidaturave për kreun e ri të Partisë Demokratike.

Lulzim Basha është kandidati i dytë për kreun e PD-së, duke garuar përballë Gjergj Hanit. Pas 14 majit, Basha ka zhvilluar disa takime me të rinjtë duke lënë të nënkuptohej qëllimi i tij për rikthimin në krye të Partisë Demokratike.

Në takimet e mbajtura, ai tha se pavarësisht se dha dorëheqjen nga posti i kreut të partisë për të mos thelluar përçarjen, sot partia është në situatë më të keqe sesa në mars të vitit të kaluar.

Gjergj Hani ish i përndjekur politik ka qenë i pari që ka dorëzuar kandidaturën e tij për kryetar të partisë Demokratike një javë më parë. Zgjedhjet për kryetar të PD do të mbahen me 29 Korrik, ndërsa pritet që tashmë të nisë dhe fushata brenda partisë.

Gazetare: Jonela Sakajeva

/RTSH/