RTSH 24 Live

Ekonomi

Balluku-Salvini: Nxitje investimeve në energji dhe infrastrukturë

25/07/2024

Balluku-Salvini: Nxitje investimeve në energji dhe infrastrukturë

Shqipëria dhe Italia ranë dakord për nxitjen e investimeve në energji dhe infrastrukturë. Kjo u bë e ditur pas një kaimi të enjten në Romë mes zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Transporteve të Italisë, Matteo Salvini.

Balluku bëri të ditur se në takim u konfirmuan raportet e ngushta dhe miqësore mes dy qeverive, duke shprehur angazhimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit në zhvillimin e investimeve në energji, infrastrukturë, si dhe programet e modernizimit të transportit në Shqipëri, veçanërisht në fushën detare dhe hekurudhore.

“Gjithashtu e njoha mbi ecurinë e projekteve lidhur me Korridorin VIII, dhe veçanërisht në ato hekurudhore, duke vendosur theksin se kjo vepër, së bashku me Korridorin Blu, janë thelbësore sa i takon turizmit, zinxhirëve të furnizimit dhe sigurisë së rajonit Adriatiko-Jonian në tërësi”, tha zonja Balluku.

Balluku u shpreh se këto projekte morën vlerësime edhe nga qeveria italiane, ndërsa nënvizoi se “Italia mbetet një nga partnerët tanë historik dhe mbështetja e tyre ndër vite ka qenë e pakursyer”.

/ rtsh.al /